Ishin të pandarë në skenë e përtej saj, bashkudhëtarë në rrugën e artit dhe miq prej një jete. Largimi i parakohshëm nga jeta i Muhamet Likos ka lënë plagë për Agron Hamon, kolegun dhe mikun e aktorit të mirënjohur. 

"Është e dhimbshme në fakt, shumë e dhimbshme. Jam tronditur thellë në shpirt jam tronditur, për Metin. Mund të them që ishte kripa e ne të katërtëve. Ishte njeri model, artist shumë i talentuar. Humbëm me të vërtetë një shok, një vëlla shumë të mirë. Humori shqiptar humbi një nga aktorët më të mirë, më të mirë, një aktor kaq shumë i kompletuar. Por edhe skena jonë, publiku vlonjat që aq shumë e deshtë atë Met", thotë për News 24 duke mos i mbajtur dot lotët, kolegu i një jete, Agroni.

Kujtimet e të qeshurat me Metin kanë qenë të panumërta. Batuta dhe momente të veçanta në skenë, e një rrugëtim i lënë përgjysmë.

"Kishim shumë plane. Ne tani së fundmi dhamë një premierë që e kemi dhënë 14 net rresht, i vetmi urim që na bënte publiku ishte që rrofshit sa malet. Meti ishte vetë lezeti. Dalja e Metit në skenë gjithmonë krijonte ilaritet. Metin e njihnin që në frymëmarrje. Kishim menduar shumë plane. Do bënim një recital të fundit. Nuk e arritëm dot. Meti na e hoqi humorin", shprehet Hamo.