Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, përmes një video-mesazhi, i është drejtuar mësuesve duke i falënderuar ata për punën e mirë që është bërë me nxënësit gjatë kësaj jave.

Pavarësisht se mësimi është pezulluar në të gjitha shkollat e vendit, mësuesit po vijojnë mësimin nga shtëpia, përmes lidhjeve të internetit.

Mesazhi i plotë:

“Mësues të dashur!
Dua t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës time për punën e mirë që keni bërë me nxënësit tuaj gjatë kësaj jave. E di që nuk është e lehtë të kalohet nga dërrasa e zezë tek ekrani i kompjuterit, por ju të gjithë e bëtë pa u ankuar fare.
Sot që flasim, rreth 75% të nxënësve kanë patur komunikim me mësuesit e tyre – pra me juve – kanë marrë instruksionet nga ju për detyrat që duhet t’i bëjnë gjatë këtyre 2 javëve. Duhet të bëjmë përpjekje të mëtejshme që të përfshijmë sa më shumë nxënës në komunikim direkt me mësuesit e vet. Kështu që ju ftoj, ju lutem, nëse nuk keni rënë në kontakt ende me nxënësit tuaj, ta bëni këtë sa më parë që është e mundur.
Na pret edhe një javë tjetër e vështirë, ku do të punojmë në kushte shtëpie, por e di dhe jam e bindur që bashkë do t’ja dalim!”