"Mbroni fëmijët nga virozat e stinës", është ky apeli i pediatërve të Durrësit në këtë stinë me temperatura të luhatshme.

Ulja e temperaturave dhe frekuentimi i çerdheve e kopshteve favorizon përhapjen e virozave të stinës tek fëmijët. Mesatarisht, më shumë se 140 fëmijë në ditë i drejtohen urgjencës pediatrike në Durrës të cilët kërkojnë ndihmën e mjekut për shkak të prekjes nga virozat që manifestohen me diarre, të vjella, temperaturë dhe lotim të syve.

Ajo çfarë më së shumti ka shqetësuar mjekët pediatër është edhe situata tek të posalindurit pasi një numër i lartë prej tyre janë prekur së fundmi nga simtomat e lartpërmendura, tha Fatmir Shahini, shef i pediatrisë së Spitali Rajonal Durrës.

Faktikisht jemi zyrtarisht në stinën e dimrit dhe ndryshimi i temperaturës, favorizuar dhe nga ambjentet ku ka kolektivitet si çerdhe dhe kopshte, fëmijët janë më të predispozuar për t’u prekur nga virozat. Mjekët pediatër japin një sërë këshilla për prindërit e të vegjëlve, për mënyrën se si mund t’i mbajnë larg virozave të stinës.

Mjekët gjithashtu sugjerojnë nënat që të konsumojnë në mënyrë të rregullt ushqimet te fëmijët për të ndihmuar në rritjen e imunitetit dhe për të luftuar patoligjitë sezonale. Ushqimet duhet të jenë të pasura në minerale, vitamina dhe fitokimikate të cilat ndihmojnë eliminimin e mikrobeve, forcojnë imunitetin dhe ulin inflamacionin dhe simptomat e zakonshme të gripit.

K.H.