Besimtarët myslimanë festojnë nesër Kurban Bajramin. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu përmes një mesazhi, ka uruar të gjithë besimtarët.

Ai thotë se Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Spahiu shprehet se Kurban Bajrami na kujton përgjegjësitë për të qenë të kujdesshëm ndaj të drejtës së gjithsecilit.

Mesazhi:

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim! Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Të nderuar besimtarë! Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit t’ju përcjell urimet më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj. Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me të afërmit, fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

Historia e Kurbanit me në qendër Profetin Ibrahim dhe Ismail a.s na tregon qartë bindjen dhe devotshëmrinë e tyre ndaj Zotit të botëve si dhe raportin e duhur prind-fëmijë. Kurban Bajrami na kujton përgjegjësitë për të qenë të kujdesshëm ndaj të drejtës së gjithsecilit. Profeti na mëson se Allahu ka të drejta mbi ne, po ashtu edhe familja, shoqëria, të afërmit. Të falurit dhe të falënderuarit është e drejta e Zotit, ndarja e kohës për familjen është e drejta e saj, haku ndaj punës është e drejta ndaj punëdhënësit dhe kolegëve.

Festa e Kurban Bajramit është e lidhur ngushtë me kushtin e pestë të Islamit, Haxhin. Haxhinjt nga Shqipëria u janë bashkuar miliona haxhinjëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të veshur me të bardha, pa dallim kombësie, shtresë shoqërore, të bashkuar vetëm për t’ju lutur Allahut të lartësuar për paqe dhe dashuri mes njerëzve, për të falur mëkatet, për t’u bërë prej njerëzve të sinqertë dhe të devotshëm. Le të shërbejë kjo festë për të kontrolluar ndjenjat tona jo të mira, si urrejtja, smira, thashethemi dhe të ripërtërijmë ndjenjat e bukura të dashurisë, respektit, vëllazërisë, faljes dhe përkujdesjes. Kurban Bajrami është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit me buzëqeshje, gëzim e paqe.

T’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne Zoti dhe le të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e Kurban Bajramit. Të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë, dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë. I lutem Zotit të Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve, më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.