Në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është kryer ditën e sotme një ndërhyrje shumë e rrallë.
Mjekët e neurokirurgjisë, kirurgjisë pediatrike, reanimacionit pediatrik dhe shërbimit të djegie-plastikës kryen një ndërhyrje te një foshnje vetëm 11-ditëshe, e cila kishte keqformim të palcës së kurrizit.
Fatmirësisht mësohet se operacioni ka përfunduar me sukses dhe foshnja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu me anë të një postimi në Facebook jep lajmin e mirë dhe falënderon mjekët.
“Një ndërhyrje e rrallë te një bebe vetëm 11 ditësh me keqformim të palcës së kurrizit u realizua me sukses nga ekipi i mjekëve të neurokirurgjisë, kirurgjisë pediatrike, reanimacionit pediatrik dhe shërbimit të djegie-plastikës në #QSUT.
Falë investimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për rezonancën e re moderne në neurokirurgji, u bë e mundur identifikimi i keqformimit të rrallë dhe me profesionalizmin e ekipit multidisiplinar të mjekëve të #QSUT, sot gëzon shëndet të plotë. Investojmë për shëndetin. Krenare për mjekët”, shkruan ministrja.