Katër ditë pas aktit heroik të Ardmir Murataj, i riu i cili shpëtoi nga mbytja dy motrat e mitura binjake në Fier, bashkia e këtij qyteti e ka nderuar atë me Certifikatë Mirënjohjeje.

Murataj është pritur në ambientet e Bashkisë nga kryebashkiaku Armando Subashi me të cilin ka diskutuar edhe rreth asaj çfarë ndodhi në lumin Seman, ku 42-vjeçarja Rudina Kishta nga Elbasani, tentoi të mbyste dy vajzat në afërsi të urës së fshatit Daullas, pasi i vuri flakën banesës së bashkëjetuesit të saj.

Subashi i dha Muratit një certifikatë mirënjohje për aktin human dhe vlerat qytetare. Por jo vetëm kaq, për të riun e papunë, Bashkia e Fierit ka menduar që t’i ofrojë atij një vend pune në këtë institucion.

Murataj ishte i papunë, pavarësisht se kishte mbaruar shkollën për elektricist. Ai tha se atë ditë kur ndodhi ngjarja kishte shkuar në lumë për të peshkuar, ndërsa ishte hasur me skenën horror.