31 dhjetori 2019 është afati i fundit kur do të lejohet regjistrimi, për herë të parë, i autoveturave të përdorura (me km) që kanë hyrë në vendin tonë dhe që janë me kategori mjedisore nën EURO 4! Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka njoftuar të gjithë qytetarët që duke filluar nga 1 janari 2020, për autoveturat e përdorura lejohet regjistrimi për herë të parë vetëm nëse përmbushin kriterin mjedisor EURO 4 e lart! Ndërsa autoveturat e reja dhe mjetet e tjera kanë kritere të tjera, sic sanksion VKM 633 (e ndryshuar).

Ky vendim është marrë në tetor të vitit 2018 si një masë e nevojshme për të ndaluar ndotjen mjedisore nga makinat e përdorura dhe që nivelin e ndotjes e kanë më të lartë.

Ndërkohë sa i takon makinave me kilometrazh zero, ato duhet të përmbushin kategorinë mjedisore EURO 5 dhe EURO 6, të gjitha këto kritere që janë të parashikuara në VKM Nr. 633, dt. 26.10.2018.

Vendimi për të ndaluar importin e makinave të përdorura ishte parashikuar të hynte në fuqi në janar të këtij viti, por që u shty për në 1 janar 2020 për shkak se tregtarët e vegjël ngritën shqetësimin se shumë makina të blera kishin mbetur të bllokuara në pikat doganore, për shkak se nuk plotesonin kriterin euro .

Sipas të dhënave zyrtare të DPSHTRR-së, në 8 muaj kanë hyrë në vendin tonë 5.209 mjete me vit prodhimi mbi 2009 / Euro 4 e lart, ose 45% më shumë mjete më të reja, çka sjell ulje direkt të ndotjes së ajrit.