Hapësirat e pakta publike që kanë mbetur në Durrës shfrytëzohen gjatë orëve të paradites nga të moshuarit, që shfrytëzojnë ditët me diell. Për shumë prej tyre, pensionet e ulëta nuk ua mundësojnë mbajtjen gjatë gjithë ditës ndezur të ngrohëseve elektrike apo kondicionerëve, prandaj ata shfrytëzojnë rrezet e diellit, për t’u ngrohur gjatë paraditeve të këtij mes janari.

Në qendër të qytetit, shikon të gjitha grupmoshat, të cilat kalojnë orët e tyre të lira në diell, ndërsa të moshuarit në lulishten e tyre kalojnë kohën nën shoqërinë e njëri-tjetrit.

Pajisjet elektrike, shumica e pensionistëve pohojnë se i ndezin vetëm pasditeve apo mbrëmjeve, sepse nuk mund ta përballojnë vlerën e lartë të faturës së korentit.

Për fat të mirë, qyteti i Durrësit ka pak ditë të ftohta dimri si këto që po kalojmë. Mëngjesi dhe mbrëmja janë zakonisht orët më të ftohta, pasi gjatë paradites dhe drekës, moti i mirë bën që temperaturat të arrijnë deri në 15-16 gradë.