Tiranë, 15 shtator 2014  – Rreth 540 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm u ulën sot në bankat e shkollës për nisjen e vitit të ri shkollor 2014-2015. 

Për herë të parë në bankat e shkollës u ulën 32 mijë fëmijë, të cilët nisin kështu rrugën e gjatë të dijes. Krerët më të lartë të shtetit uruan sot nxënësit dhe mesuesit në çdo cep të Shqipërisë.

RAMA: ASNJË MËSUES JASHTË PROFILIT 
Kryeministri Edi Rama ka uruar në rrjetin social '"Facebook" të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri shkollor. "Urime gjithë nxënësve që po shkojnë në shkollë për të nisur një vit të ri në rrugën e diturisë. Për ne nis sfida #Asnjemesuesjashteprofilit"- shkruan Rama. 

BASHA- NXËNËSVE: NJË VIT I MBARË PËR TË GJITHË 
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka uruar nxënësit dhe mësuesit për nisjen e vitit të ri shkollor nga shkolla “Eqerem Çabej”. Gjatë mesazhit të tij të urimit kryetari i Bashkisë theksoi se tashmë nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë mësimin në ambiente moderne pas rikonstruktimit të shkollës. 

“Vi me një kënaqësi të veçantë ditën kur rinis shkolla pas pushimeve të verës. E di që shumica kanë ardhur me dëshirë të madhe dhe mall pas shkëputjes dhe shpresoj që kjo dëshirë e madhe për të filluar shkollën t’iu zmadhohet edhe më shumë, se ju jeni një ndër shkollat që janë rikonstruktuar me laborator të rinj. Mbi të gjitha me një përkushtim të ri apo të rinovuar për përgjegjësinë tuaj kryesore, atë të nxënies, mësimit që e keni para vetes suaj dhe për veten tuaj, për familjen dhe qytetin ku jetoni që sytë i kanë te ju, te brezi i ri. Duke ndarë me ju kënaqësinë e madhe ju uroj nga zemra suksese, një vit të mbarë dhe nderoni veten tuaj, familjen tuaj edhe emrin e këtij gjimnazi me rezultatet tuaja”– u shpreh Basha. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/