Artan Paja, një qytetar me banim në Ishëm, Durrës tregon në emisionin “Stop” se prej një muaji paraqitet pranë zyrave të OSHEE-së në Shijak për të lidhur një kontratë të re energjie elektrike. Por në zyrat e këtij institucioni i thonë se babai, xhaxhai dhe vëllai i tij rezultojnë debitorë.

Ngatërresa është se djemtë e Artanit kanë emrat e babait dhe të xhaxhait të tij. Në një ballafaqim me shefin e shitjes pranë OSHEE Shijak, Fatbardh Cenka thotë se emrat e fëmijëve rezultojnë debitorë, pavarësisht faktit që ata janë të mitur.

Pas një debati të gjatë mes qytetarit, punonjësit të OSHEE-së dhe gazetares së emisionit “Stop”, u vendos që Artan Pajës t’i lidhet energjia. Ky vendim erdhi pasi denoncuesi firmosi më parë një deklaratë, ku thuhej se nuk do iu japë energji të afërmve të tij debitorë.

“Unë jam Artan Paja. I jam drejtuar emisionit “STOP” se kam një problem me energjinë elektrike. Kam 7 muaj që jam ndarë nga familja. Unë kam patur energji elektrike se merrja te vëllai me një kabëll sa për të rregulluar shtëpinë e për të jetuar këto 7 muaj. Tani unë kam një problem.

OSHEE më nxjerr debitorë fëmijët e mi. Të dy fëmijëve të mi i kam vënë emrat e babait dhe xhaxhait tim. Atyre u rezulton debitorë, unë nuk e di se ata nuk jetojnë me mua dhe nuk kam lidhje fare me ta. Djemtë e mi janë të mitur dhe rezultojnë debitorë te OSHEE. Unë kam gati 1 muaj që jetoj pa drita. Inxhinier Fatbardh Cenka më ka thënë që nuk ma lidh kontratën përfundimisht se familjarët i ke debitorë.  Fëmijët e mi kanë lindur në Itali, por ata thonë se nuk iu intereson, ashtu ua nxjerr sistemi. Tani çfarë faji kam unë”?

Gazetarja e emisionit “Stop” i drejtohet OSHEE Shijak për të pyetur se si mund të jetë një minoren debitor. Fatbardh Cenka pretendon se e ka verifikuar rastin në fjalë dhe i ka rezultuar se Vath dhe Liman Paja, fëmijët e Artanit, janë debitorë, por shprehet se në sistem nuk paraqitet datëlindja e debitorëve.

Pas një debati të gjatë mes Artanit, gazetares së emisionit “Stop” dhe Fatbardhit, ky i fundit kërkoi një garanci nga denoncuesi që nuk do t’i japë askujt energji elektrike. Një kërkesë e çuditshme kjo, pasi nuk ndodhet në listën e dokumentacioneve të nevojshme për një lidhje të re energjie elektrike dhe këtë gjë ia thekson gazetarja.

Pavarësisht kësaj, Artan Paja nënshkroi një deklaratë pranë OSHEE Shijak, ku thuhej: “Unë Artan Paja deklaroj se nuk do i jap energji askujt, madje as babait dhe vëllait tim, as Ganiut, As Albanit”. Pasi pagoi edhe detyrimet për lidhjen e kontratës së energjisë elektrike, Artani falenderon emisionin “Stop” për zgjidhjen e këtij problemi. /tvklan