Më shumë se një panair për të punësuar të papunët, stendat e hapura për këtë qëllim ishin bindëse vetëm për autoritetet shtetërore se po zgjidhin një prej problemeve më të mëdha të shqiptarëve.

Bizneset private duket se po përballen me vështirësi për të siguruar fuqi punëtore, ku si shkak kryesor renditet largimi masiv i të rinjve jashtë vendit. Janë mbi 2000 vende të reja pune të ofruara nga rreth 60 subjekte në panairin e punës të hapur në sheshin “Liria” në Durrës. Industria e turizmit ka kryesuar në këtë panair me vendet e punës, të cilat ofrohen për të gjithë punëkërkuesit.

Për kreun e Zyrës Rajonale të Punësimit, Indrit Buka, hapja e panairit është një mundësi shumë e mirë për të gjithë punëkërkuesit por edhe kompanitë, të cilët komunikojnë drejtpërsëdrejti. Sipas tij, Zyra Rajonale e Punësimit ka aktualisht në dispozicion të punëkërkuesve rreth dy mijë vende të lira punë, ndërkohë që në regjistrin e kësaj zyre numërohen 6 mijë aplikantë për punë.

Ndërkohë zv.ministrja e Ekonomisë Dajna Sorensen, pohoi se panairet e punësimit po kthehen në traditë, si një formë për zbutjen e papunësisë në vend.

Entuziastë ishin edhe përfaqësuesit e autoriteve vendore duke nisur nga prefektura, Qendra e Formimit Profesional, Forcat e Armatosura etj.

Më shumë se sa një panair ku mundësitë per t’u punësuar janë reale, autoritetet, nga vendore deri ato qendrore, duan të bindin qytetarët se vende pune ka dhe ata mund ta gjejnë veten në to. Por ajo që bie në sy është fakti që një panair një ditor nuk e zgjidh aspak problemin e madh të punësimit nga i cili po arratisen jashtë vendit mijëra të rinj çdo vit.

K.H.