Tiranë, 18 korrik 2014 – Personat që kanë dalë në pension me ligjin e vjetër dhe ata që dalin deri në 31 dhjetor të këtij viti nuk do të humbasin asnjë prej të drejtave të përfituara nga ligji aktual i pensioneve. Madje ata do të përfitojnë indeksimin të pensionit në masë edhe më të lartë se norma e inflacionit për të përafruar masën e përfitimit me ata persona që do të dalin në pension në janar të vitit të ardhshëm dhe që do të përfitojnë nga ligji i ri.

Personat që duan të punojnë edhe pasi kanë mbushur moshën e pensionet dhe kanë plotësuar edhe vitet e kontributeve do të vlerësohen me shtesë pensioni 0.5 % në muaj ose 6 % çdo vit. Rritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore do të prekë zonat rurale dhe të vetëpunësuarit deri në kohën që masa e kontributeve në fshat me ato në qytet të jetë e përafërt. Këto janë disa nga detajet e raportuara nga ministri i Punës Erion Veliaj gjatë prezantimit të ndryshimeve në ligjin për sigurimet shoqërore.

“Çdo e drejtë që është fituar nuk do të ndryshohet nuk preket, personat që dalin në pension deri në 31 dhjetor të vitit 2014 do të kenë të drejtat me ligjin e vjetër ndërsa ne do të indeksojmë çdo pension deri sa të shkojmë në përafrimin e tyre. Duke mos prekur të drejtat që janë fituar deri tani ne do të indeksojmë pensionet në masë edhe më të lartë se norma e inflacionit, e cila do të çojë në përafrimin e pensioneve mes atyre që dalin në pension me ligjin e vjetër dhe atyre që dalin në pension me ligjin e ri”-deklaroi në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj.

Sipas tij, skema e vjetër e sigurimeve vuan nga një deficit i lartë. Ministri Veliaj theksoi se do të propozojë një skemë të re sigurimesh shoqërore, e cila parashikon një rritje graduale të sigurimeve çdo dy muaj. 

Rregullat dhe procedurat e indeksimit të pensioneve  

 • Heqje e kufizimeve tavan të pensionit. Njehësim të pagës minimale kontributive me pagën minimale në shkallë vendi dhe përcaktimit të rregullave strikte për indeksmin e pagave kontributive.

 • Rritje graduale të moshës së daljes në pension për gratë, me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032. Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy gjinitë në vitin 2056. 

• Përmirësimi të mënyrës së llogaritjes së pensioneve për nënat me shumë fëmijë dhe pensioneve familjare, duke përcaktuar si moshë për përfitimin e pensionit nga bashkëshortët, moshën e daljes në pension.

 • Rritje graduale të kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane, deri në vitin 2018. 

• Shfuqizim të formulës së llogaritjes të pensioneve të zonave rurale dhe përdorimit të së njëjtës formulë, si për pensionet e tjera. 

• Inkurajim të vazhdimit të punës, pas mbushjes së moshës në pension, nëpërmjet rritjes të shtesës për shtyrje pensioni në 0.5% për muaj. 

• Përcaktimi që të gjithë individët, që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për përftimin e një pensioni, do të përfitojnë një pension social, i cili mund të përfitohet vetëm nga individët mbi 70 vjeç që kanë qenë rezident në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit. Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe sesa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive. Ky pension do të jepet duke pasur si kusht verifikimin e të ardhurave. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/