-Heshtja dhe puna binom inkurajues
-Enio Tati gjetja e duhur e trashigimisë
-Një familje tipike dhe e urtë durrsakësh
-Profesioniste e zonja, e qetë dhe pa mburrje

Nga Bujar Qesja

Ardhja në një moshë relativisht të ndjeshme, shton detyrimet për t’i larë sa më shumë “borxhe” qytetit tim të lindjes-Durrësit. Këto borxhe nuk janë thjesht nga ato që lakohen rëndom, në lekë dhe hua. Janë të tjera këto, që mendoj unë këtë rast. Janë borxhe apo detyrime morale, që i kemi heronjve të heshtur të kulturës, punës, historisë, etj. që përmblidhen në të artën shprehje “qytetaria durrsake”. Oh sa e fisme, sa e mënçur, sa konkuruese, por gjithnjë e pa mburrur deri në heshtje!

Lapsi im në këtë shkrim prezantues, ka vendosur në majën e tij një grua shumë të njohur, por shumë të heshtur, shumë punëtore dhe profesioniste e dorës së parë, por e pa mburrur, jo e spikatur për të thënë që në jetë kam bërë këtë, e kam bërë atë. Ushtron zanatin e mjekes stomaloge që herët, mbase përtej 45 viteve. Dhe këtë sta tregon, por edhe ti nuk i thua, pasi nuk del gjë prej gojës së saj. Ajo e ka vendosur gjithçka me punë dhe zellin e pakonkuruar. Ti gazetar zbuloje po deshe, kalo në labirinthet e mjeshtrisë së saj, të artit të saj dentar dhe gjykoje vetë dhe hidh në letër atë që është më e vlefshme. Siç është merita e saj të qendisë dhëmbët, testo edhe vlerat e tua profesionale për t’ia dhënë publikut, këtë portret të njohur por të pa çfaqur kësi. Atëhere po flasim për Elsa Mimën.

Ia kisha dëgjuar emrin dhe kam privilegjin që jam bashkëmoshatarë me të. I përkushtuar ndaj shkrimeve të profileve të tjera, e kisha anashkaluar pa dashje famën e saj profesionale, e cila po rritej dhe zhvillohej paralelisht me moshën. Doja të mbështetesha diku, për të ngacmuar horizontin dhe për ti dhënë ngrohtësi prushit të muzës time. E gjeta mendova dhe në vendin e koncentrimit të mendimit dhe të dijeve, siç e konsideroj bibliotekën nxitoj dhe nxjerr prej andej librin me titullin “Historiku i spitaleve të Durrësit” me autor, kirurgun e njohur Bashkim Habibi. Në kapitullin “Shërbimi i maksilofacialit”, Habibi ynë kishte vendosur vetëm këta emra: Hasan Jero, Pirro Qerimi, Haki Bllaca, Enver Kotorri, Vangjel Aleksi, Kujtim Likaj, Kapllan Mançe dhe Florian Bllaca. Asnjë më shumë dhe asnjë më pak. Kërkova nëpër 468 faqet e këtij monumenti të shëndetësisë durrsake, por nuk e gjeta Elsa Mimën. Mbase edhe këtu mendova, heshtja dhe kalimi në ujra të qeta të Elsës, nuk e ka provokuar mendimin krijues të Bashkim Habibit, për ti dhënë një hapsirë sado modeste në librin e tij.

Ajo që vlen është, se kam vite që kam prekur jo vetëm punën e saj, por nga pak edhe familjen, djalin dhe bashkëshortin. I kam shkuar në klinikë edhe si pacient edhe për të shoqëruar ndonjë shok apo mik. Dhe gjithnjë Elsa Mima ka qenë dhe mbetet e njëjta. Klinika e saj nuk merr frymë. Dhe ajo që më gëzon krahas moshave më të reja, nxjerr mall se në klinikën e Elsës, vijnë durrsakë dhe durrsake të moshës së vjetër. Oh sa mall kam kur i shikoj! Dhe nga një klinikë dhëmbësh, por pak minuta kthehet në një “klinikë” të qytetarisë dhe mënçurisë durrsake. Dhe kujtohen edhe kolegët e vjetër të punës, por edhe qendrat e mëparshme të dhëmbëve, që na kanë mbetur si pjesë e artë e kujtesës tonë.

Elsa Mima është e vetmja stomatologe durrsake, që kryente punët e vështira të bërjes së protezave dhe punimit të urave, dy tregues që tregojnë nivelin e lartë profesional të një profesionisti të kësaj fushe. E pyeta, pa i dhënë të kuptoj se kisha një paragjykim në mëndje:

-Me kë ke punuar?
-Këtë punë sa të vështirë aq edhe delikate, e kemi bërë së bashku me kolegët e mi që gjithnjë i kujtoj Fiqiri Deliallisi dhe Tor Ristani. Këtë lloj shërbimi nuk mund ta bënte kushdo. Kërkon art, mjeshtri, durim dhe nivel të lartë profesional. Nga femrat mbetem e vetme, që e kam bërë këtë.

Absolutisht që është mburrje. Me shumë kujdes e kisha vendosur Elsën, të kalonte në shtigjet e mia profesionale, për të kapur aq sa mund të kapja. Por edhe kaq, shumë e zorshme dhe e vështirë. Elsa e ka dashurinë për zanatin brenda shpirtit të saj, brenda fisnikërisë së saj, që ia zbukuron portretin, ndonëse mosha jo e vogël i lexohet lehtë në pamje. Një profesioniste si ajo dhe kaq e heshtur. Një zonjë si ajo dhe shumë e thjeshtë, pse jo edhe modeste. Shumë pak fjalë dhe një punë, që shpreh artin e profesionit të saj të zgjedhur me merak dhe që vazhdon ta dashurojë, aspak të zbehur në nuancë si më parë.

Vijnë klientë të natyrave dhe moshave të ndryshme dhe kërkojnë tu ofrohen shërbime nga më të veçantat. Dhe Elsa, e cila ka qenë me fat që Zoti i “fali” një djalë flori, i përgjigjet me aftësi profesionale. I biri i Elsës quhet Enio Tati. Dhe për të mos e shuar zanatin me kalimin e viteve, Elsa Mima përgatiti vazhduesin. Dhe është një vazhdues që mund të krenohet jo vetëm Elsa, por edhe ne të tjerët. 31 vjeçari Enio Tati, ka mbaruar shkollën e nënës së tij dhe klinika jo pa arsyje mban dukshëm emrin:
Klinika Dentare Dr. Elsa Mima (Tati) dhe dr. Enio Tati.

Klinika Elsa Mima dhe Enio Tati ka shumë punë. Në Durrës janë me dhjetra klinika dentare, por klinika e kësaj dysheje më duket si më e veçanta. Kjo edhe se aty punojnë nënë e bir, që kanë mbiemra me rrënjë në Durrës. Elsa Mima vjen nga fisi i njohur i Mimëve në Durrës. Një fis për tu pirë në kupë. Dhe kjo Elsë, ka për bashkëshort një njeri të shkëlqyer, me një mbiemër historik në qytetin tim të lindjes Tati. Quhet Petraq Tati, me profesion inxhinjer mekanik. Dhe për ta përfunduar portretizimin e kësaj familje, të përbërë nga dy mbiemra që i njeh i tërë Durrësi, për nga qytetaria dhe fisnikëria, përmëndim edhe bashkëshorten e Enios. Ajo është ekonomiste e lartë dhe quhet Enni Zeko. Dhe si produkt i martesës së tyre, qendron “mbreti” i vogël Joan.

Gjithnjë i kam patur surprizë shkrime të tilla. Nuk u kam thënë gjë njerëzve, për të cilët u jam përkushtuar jo pak. Nuk kam dashur ti tundoj, për t’ia dhuruar si kënaqësi nga një bashkëqytetar i tyre, në vlerësim të punës të mrekullueshme, në shërbim dhe mbajtjes lartë të dinjitetit dhe personalitetit të qytetarisë durrsake.
Pa as më të voglin dyshim, Elsa Mima mbetet nga prezantimet më të arrira të stomatologjisë durrsake, ani se miku ynë Bashkim Habibi, nuk ka mundur ta përfshijë në mrekullinë e tij krijuese për historikun e spitaleve të Durrësit.

Elsa, falë jo vetëm trashigimisë së fuqishme kulturore dhe qytetare të fisit Mima, por edhe të krijimit të personalitetit dhe profesionalizmit të saj, është përfshirë me plot autoritet në librin e florinjtë, që e ka shkruar dhe po e shkruan në historinë e saj qytetaria durrsake. Kam kërkuar shumë për një foto të Elsës. Nuk kam gjetur. Por edhe nuk munda të realizoj një foto, pasi më zbulohej surpriza. Kur të vi rasti, do ta kompesoj të vetmen mangësi të shkrimit tim, kushtuar Elsa Mimës, por edhe djalit simpatik dhe aq të mirë Enio Tati. Dhe rasti tashmë ka ardhur ashtu edhe siç pritej. Më në fund me dakordësinë e Elsës. mundëm të realizojmë dy pamje. Një njërën është personazhia kryesore i këtij shkrimi Elsa Mima dhe tjetra mamë e bir Elsa dhe Enio Tati. Kështu edhe ky material shpirtëror, rrit kuptimin dhe materializon edhe me figurë, idete dhe mendimet e hedhura në të.

Le të mbetet surpriza ime, me një foto të fiksimit të vendit të tyre të punës, shkruar bukur dhe thjeshtë, duke vendosur aty mbiemrat e njohur të qytetarisë durrsake: Klinika Dentare e dr. Elsa Mima dhe dr. Enio Tati.

E di që nuk është shkruar për Elsën. Kjo jo vetëm harresë kolegësh. Por edhe Elsa Mima është shumë e vështirë në këtë drejtim. Ajo kurrë nuk ka folur nëpërmjet shtypit. Ajo edhe më parë, por më shumë edhe tani, flet dhe do të flasë edhe më tej me gjuhën e punës dhe të bukurisë së saj shpirtërore.

Sido që ta shkruash historinë e stomatologjisë durrsake, nuk mund të anash kalosh një nga figurat qendrore të saj. Ajo është Elsa Mima.