Fondi i Kombeve të Bashkuara për aktivitetet e popullsisë UNFPA ka zgjedhur nxënësit e shkollave të mesme për të prezantuar raportin "Gjendja e popullsisë së botës 2019".
Në një aktivitet të zhvilluar në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive "Benardina Qeraxhia", e cila përkonte edhe me javën olimpike, përfaqësues të Fondit të Kombeve të Bashkuara kanë vënë në dukje dy elementë që ndikojnë direkt në të ardhmen e popullsisë së vendit tonë, rënien e numrit të lindjeve si dhe plakja e popullsisë.
Studimet e fondit të OKB-së tregojnë se që nga viti 1989 në Shqipëri janë bërë hapa të konsiderueshëm në drejtim të planifikimit familiar, ndërkohë që lobimi pranë institucioneve shtetërore ka sjellë rezultate të dukshme. Drejtorja e UNFPA për Shqipërinë, Rira Columbia është shprehur se një çështje që del në pah nga gjendja e popullsisë për vitin 2019 është dhuna në familje dhe rëndësia e madhe që ka fuqizimi i grave dhe vajzave dhe sidomos të rinjve që të zgjedhin edukimin dhe objektivat jetësore të tyre.
Në aktivitetin e zhvilluar me nxënës të shkollës së mesme sportive ka qenë i pranishëm edhe koordinatori i përhershëm i OKB në vendin tonë, Brian Williams i cili theksoi se plakja e popullsisë në Shqipëri po ndodh me ritme të shpejta, duke theksuar lindshmërinë e ulët dhe rritjen e numrit të emigrantëve si shkaqe kryesore.
Gjetjet për planifikimin familjar
Të dhënat e siguruara nga studimet e UNFPA japin një panoramë te qartë të përdorimit të metodave kontraceptive nga shqiptarët. Në Shqipëri, pothuajse çdo grua ka njohuri për planifikimin familjar, të paktën për një metodë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për përdorimin e kontracepsionit modern, vetëm 4 nga 100 gra të martuara e përdorin atë në të vërtetë.
Sot, vetëm 6% e kërkesës për planifikim familjar është e plotësuar nga metodat moderne. Kjo do të thotë se ato mbështeten më shumë në metodat tradicionale që janë më pak efektive dhe kanë rrezik më të lartë për shtatzëni të padëshiruar dhe abort.
Përdorimi i kontracepsionit modern midis grave të martuara ështe shumë i ulët 3.7%. Ndërkohë që prezervativi mashkullor mbetet metoda më e përdorur. Sipas të dhënave shumica e grave (56.1%) që aktualisht përdorin një metodë bashkëkohore kontraceptive e kanë marrë atë nga sektori privat, ndërsa 41.9% e morën metodën e tyre nga sektori publik.
UNFPA u bën thirrje të gjithë aktorëve të ndihmojnë të rinjtë, gratë dhe burrat për të përmbushur të drejtat e tyre riprodhuese:
- Sistemet ligjore kombëtare duhet të angazhohen për t'i vënë njerëzit të paret, duke respektuar të drejtat e tyre seksuale dhe riprodhuese dhe duke i mbrojtur vajzat nga martesa në moshë të hershme dhe nga dhuna me bazë gjinore.
- Të gjitha sistemet shëndetësore duhet të përcaktojnë dhe të ofrojnë një paketë thelbësore të shërbimeve të kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues universal, të integruar, të cilësisë së lartë, duke përfshirë adoleshentët.
- Komunitetet duhet të mobilizohen për të rritur kërkesën për shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe aksesin në kontracepsionin modern.
- Komuniteteve, prindërve dhe mësuesve të punojne për edukimin e të rinjve, grave dhe burrave mbi shëndetin seksual dhe riprodhues dhe përfitimet e planifikimit familjar për të arritur zhvillimin e individit dhe, në fund të fundit të shoqërisë.