Bashkia e Durrësit ka një problem të madh me mbetjet urbane. Pas vendgrumbullimit të Porto Romanos ku dhjetëra mijë ton mbetje digjen dhe tymi shpërndahet në zonat e banuara, edhe në zonën e Sukthit të Ri, situata është alarmante. Për shkak të tymit banorët thonë se do të protestojnë duke bllokuar edhe rrugën.

Vendgrumbullimi në Sukth të Ri, ekziston prej mbi 15 vjetësh thonë banorët. Teksa na shoqërojnë përgjatë vijës ku tymi nuk ndalet banorët shprehen të irrituar dhe të vendosur që të bllokojnë rrugën, për të zgjuar vëmendjen e Bashkisë së Durrësit. Sukthi i Ri nuk duket nga tymi që vjen nga plehrat që digjen më pak se një kilometër larg.

Ky problem me mbetjet urbane duket se është në të gjithë Bashkinë e Durrësit. Fusha e mbetjeve në Porto Romano vazhdon të helmojë qytetin e Durrësit dhe zonat përreth. Ndërkohe që e njëjta situatë është edhe në Sukth.

Tymi, bloza dhe sëmundjet janë fakte kokëforta, që nuk kundërshtohen dot, ato flasin më shumë se fjalët. /Top Channel