Prej dy vitesh, Irena nuk e ka më organin kryesor të aparatit tretës. Iu shfaq një sëmundje e trashëguar gjenetikisht, e cila u zhvillua aq shpejt, sa mjekët nuk kishin kohë të mendoheshin gjatë, por nxituan t’i shpëtonin jetën. Në ato orë ankthi, as vetë Irena nuk e mendoi se si do të vijonte jeta e saj pa stomak. Pas dy vitesh, ajo është sërish në këmbë, e fortë dhe më optimiste se dikur, por vetëm Irena e di se çfarë ka kaluar gjatë asaj periudhe të vështirë, që shënoi një kthesë të forte në jetën e saj. “Të jetosh pa stomak, është shumë e vështirë dhe do një forcë e vullnet të jashtëzakonshëm, – rrëfen tridhjeteshtatëvjeçarja. – Duhet të kesh karakter të fortë. Shumë njerëz e lëshojnë veten kur jeta i përball me sfida të tilla, por duhet të jemi të fortë, se vetëm kështu mund t’ia dalim mbanë.” Pas operacionit, Irena qëndroi pesëdhjetë e dy ditë pa ngrënë e pa pirë. Pas kësaj periudhe të gjatë, që e reja e kujton si ferrin e jetës së saj, iu deshën edhe dy muaj të tjerë që të mësonte se si ta kalonte ushqimin poshtë.

“Mund të them se, pas operacionit, më është dashur një vit që trupi të përshtatet me ushqimin, të kuptoj çfarë më bën mirë dhe çfarë jo. Përveç kësaj, kam krijuar edhe zakone të reja të të ngrënit. Për shembull, kur ushqehem, nuk duhet të pi. Pasi kam ngrënë, çfarëdolloj gjëje, duhet të pres tridhjetë minuta për të pirë ujë apo lëngje të tjera. Tundohem shumë, por s’kam ç’të bëj. Detyrohem të pres me orë në dorë sa të plotësohen minutat, që të mund të pi.” Pas heqjes së stomakut, për Irenën ishte si të kishte nisur një jetë të re, ku i duhej të përshtatej me zakone të reja. Edhe pse kishte shumë etje, mund të pinte lëngje aq sa pi një bebe. “Në fillim, mund të pija vetëm një gllënjkë. Pas gjashtë muajsh arrita të kaloja edhe dy, ndërsa tani për mua është fitore që mund të pi gjysmën e gotës njëherësh.” Teknika e ushqyerjes është vetëm një ndër ndryshimet që ndodhin në jetën e pacientëve që heqin stomakun. Këta pacientë preken nga diabeti, pasi pankreasi nuk e ka më stomakun që të bashkëpunojë. “Kam mësuar të ushqehem në mënyrë të tillë që të mos më bjerë sheqeri.

Shmang konsumimin e çdolloj ushqimi të ëmbël dhe sheqerin përpiqem ta marr gradualisht nga patatja, buka dhe orizi, – shpjegon Irena. – Por duhet të marr edhe ushqime që më japin kalori, nga pak dhe shpeshherë, ndryshe trupi nuk i përthith vlerat ushqyese. Marr vitamina venoze, bëj çdo muaj analiza, për të parë se çfarë mungesash kam dhe më pas i plotësoj ato në rrugë venoze. I konsumoj të gjitha gjërat. Në dietën time ka shumë makarona, sepse kanë kalori, proshuta, djathëra, bukë, e cila këshillohet e thekur, sepse tretet më shpejt dhe thith lëngjet. Pacientët si unë nuk hanë dot limon dhe domate, se kanë aciditet dhe i ngacmon, por unë i ha të gjitha nga pak. Më shkakton probleme vetëm yndyra. Kur ha rëndë, pra, kur e teproj, ndiej një siklet. Kjo quhet “dumping syndrome” dhe është një siklet i pashpjegueshëm për njerëzit normalë. As unë nuk di ta shpjegoj”, – përpiqet të kujtojë Irena nga ditët e saj të vështira. Pas pesë muajsh në spital, gjatë dy muajve të parë në shtëpi, tridhjeteshtatëvjeçarja u përpoq t’i rikthehej normalitetit, paçka se situata në trupin e saj nuk ishte më normale. Ajo qëndroi e forte përballë sëmundjes dhe tregoi se mund ta vazhdonte jetën aty ku e kishte lënë, ndaj dy muaj pasi doli nga spitali, u kthye në punë. Ajo është laborante dentare dhe pjesën më të madhe të ditës i duhet të qëndrojë në këmbë, çka kërkon shumë energji. Por Irenës nuk i mungon energjia, sepse ajo jo vetëm e ka hedhur me zgjuarsi çdo hap në jetën e saj të re, por sepse brenda saj gjendet një burim i pashtershëm energjie.

SHFAQJA E SËMUNDJES DHE KALVARI I LUFTËS PËR TË JETUAR

Ishte qershori i 2017-s. Jeta e Irenës ndiqte rutinën e përditshme. Ajo kujdesej për djalin e vogël, shkonte në punë, takohej me familjen dhe miqtë. Deri atë çast, gjithçka ecte normalisht. Kur temperaturat filluan të rriteshin, ajo nisi të ndiente dhimbje të lehta stomaku, të cilat i zgjatën një javë rresht. Sipas saj, në pamje të parë nuk kishte asgjë shqetësuese, nëse nuk merrje parasysh që nëna e saj kishte ndërruar jetë pak vite më parë nga adenokarçinoma, po ashtu edhe gjyshi i saj. “Më ishte fiksuar se do t’i ngjaja mamit, – tregon Irena. – Gjatë kohës që kisha këto ngacmimet e lehta, mora disa qetësues në farmaci, por kushërira ime, me të cilën edhe punoj, më tha t’i lija qetësuesit dhe të bëja një kontroll. Kështu, bëra endoskopinë dhe mjeku zbuloi një ulcerë, ndaj menjëherë më bëri mbjellje. Përgjigjja dilte pas katërmbëdhjetë ditësh. Ç’është e vërteta, nuk më telefonuan që kishte dale përgjigjja. Një ditë kalova rastësisht afër spitalit të Durrësit dhe ndalova të merrja përgjigjen, me idenë që ta hiqja qafe e të qetësohesha. Nuk e kuptova se ç’thuhej në të, ngaqë ishin terma mjekësorë, ndaj ia dërgova me foto një shoqes sime infermiere. Nuk kaluan as pesë minuta dhe ajo më mori në telefon e më tha se me atë diagnozë, puna nuk priste aspak. Duhej të nisesha urgjent në Itali.” Lajmi i ra si bombë. Në orët që vijuan, Irena ishte si në ajër, nuk e kuptonte se çfarë po ndodhte. Jeta i ndryshoi aq shpejt, sa pas disa orësh e gjeti veten në Itali, në spitalin “San Marino” të Milanos. “Motra ime, që është natyrë shumë e fortë, më preu menjëherë biletën. Unë mora djalin nga kopshti, ndenja pak me të dhe u nisa, me idenë se ndoshta kanë gabuar diagnozë. Fatmirësisht, falë të njohurve të mi, u përshpejtua edhe takimi me mjekun kryesor, i cili ishte njëkohësisht drejtori i spitalit dhe kirurgu. Mund të jem vonuar ndoshta dy javë, derisa u bënë të gjitha dokumentet, që të mos paguaja shtatëdhjetë mijë euro, aq sa kushtonte operacioni. Kur u takova me mjekun dhe ai pa diagnozën, më tha se jo vetëm që diagnoza ishte e saktë, por do të më hiqnin gjithë stomakun.” Ishte bomba e dytë që i ra Irenës  brenda dy javësh. Mjekët në Shqipëri i kishin thënë se do të hiqte vetëm treçerekun e stomakut, por sëmundja ishte aq agresive, sa brenda atyre dy javëve që ajo përgatitej për operacionin, ishte përhapur në të gjithë stomakun.

“Mjekët më shpjeguan gjithë pjesën teknike dhe procedurat që do të ndiqeshin, por unë isha aq e mpirë, sa nuk e kuptoja dot se si do të arrija të jetoja pa stomak. Ideja ishte që të vepronin sa më shpejt, me qëllim që të më shpëtonin jetën. Radha ishte e gjatë, por duke qenë se isha rast i vështirë dhe shumë e re në moshë, pas dy-tri ditësh pritjeje më futën në sallë. Edhe ato tri ditë ishin shumë për mua.” Operacioni për heqjen e stomakut të Irenës zgjati tetë-nëntë orë. Ndërhyrja u bë me laparaskopi, një teknikë moderne, e cila mënjanon hapjen e trupit. Çdo gjë shkoi shumë mirë, por operacioni dështoi kur duhej të qepej zorra me ezofagun, pasi zorra është shumë e rrëshqitshme. Kështu, pas operacionit, në lidhjen zorrë-ezofag, mbeti një vrimë e vogël. Nëse deri atë çast ferri për Irenën ishte thjesht imagjinar, prej atij momenti ai nisi të merrte formë. “Më vunë të gjitha aparatet e mundshme, që të ndihmonin në mbylljen e vrimës, por nuk pati rezultat. Kështu, u futa përsëri në sale për operacionin e dytë, që të bëhej edhe një herë qepja e brendshme. Menduam se shkoi me sukses, por jo. Vrima nuk u mbyll. Më vendosën sondë, aparate që thithnin lëngjet, në mënyrë që të mos kalonin poshtë, por prapë pa rezultat. Prova që më bënin për të kuptuar nëse ishte mbyllur apo jo vrima, ishte një tmerr më vete. Më hidhnin një lloj lëngu, i cili, kur depërtonte në vrimën mes ezofagut dhe zorrës, përhapej në gjithë barkun dhe më shkaktonte djegie dhe një siklet të madh. As me këtë teknikë nuk u arrit gjë, ndaj mjekët më futën përsëri në sallë, duke më vendosur një kapëse për mbylljen e hapësirës së krijuar.” Kur mjekët e vendosën kapësen, menduan se ishte e duhura, por në të vërtetë kishin vendosur një kapëse më të madhe. Kjo e fundit dëmtoi edhe një pjesë të ezofagut, ndaj mjekët u detyruan që ta fusnin prapë Irenën në sallën e operacionit. Këtë herë ishin të detyruar t’i çanin barkun, pasi nuk kishte rrugë tjetër. Mjekët hoqën kapësen dhe bashkë me të edhe pjesën e dëmtuar të ezofagut, por, fatkeqësisht, vrima nuk u mbyll. Përbërja e zorrës dhe ezofagut e bënte shumë të vështirë ngjitjen. S’kishte mbetur rrugë tjetër veçse të luteshin që vrima të mbyllej vetë. Gjatë kësaj periudhe pritjeje, Irenës i morën ujë mushkëritë dhe nisi të kishte temperaturë shumë të lartë. Doli se infeksioni ishte shkaktuar nga futja e një sasie shumë të vogël lëngjesh, që depërtonin jashtë vrimës së mbetur hapur në ezofag. Pa ngrënë e pa pirë i kaloi ato pesëdhjetë e dy ditë qëndrimi në spital tridhjetepesëvjeçarja e asokohshme. “Trupi më ishte mbushur me drenazhe, ushqehesha në mënyrë venoze, me aparatin që më ishte vënë. Kisha humbur shumë gjak. Mezi prisja të hiqja sondën, e cila është si endoskopia që bëjnë zakonisht njerëzit. Mendo, ata mezi e durojnë për pak minuta, kurse unë e mbaja gjithë kohën. Herë pas here, ajo bllokohej, sepse përmes saj thitheshin lëngjet dhe sekrecionet. Kur bllokohej aparati, bllokohej gjithë trupi. Kishte çaste që përpiqesha të ecja, sepse kisha harrur të ecja. Peshoja vetëm tridhjetë e pesë kilogramë dhe kisha gjithmonë me vete një lloj karroce që më mbante aparatet. Ajo karrocë dhe gjendja ime, e pafuqishme, e pangrënë, me dhimbje, më bënin të ndihesha si një e vdekur që mbahet gjallë me aparatura.” Por ajo nuk u dorëzua për asnjë çast. E donte jetën dhe burimi kryesor i forcës së saj ishte Mevlin, djali, i cili sot është shtatë vjeç. “Kisha edhe një forcë të dytë, – rrëfen Irena. – Pasi humbjes së sime mëje, për çdo gjë që më ka ndodhur më pas në jetë, kam thënë: ‘Nëse arrij të jetoj pa mamin tim, mund të jetoj pa çdo gjë tjetër.’ Kam kuptuar se vuajtja më e madhe në jetë, është humbja e njeriut të dashur, të cilin nuk e rikthen dot më. Për të tjerat e gjen gjithmonë  një zgjidhje.” Nëna e Irenës ndërroi jetë në moshën pesëdhjetetetëvjeçare, me të njëjtën diagnozë si e bija, por Irena nuk ka menduar për asnjë çast se do të kishte të njëjtin fat. Nëna e saj e zbuloi sëmundjen shumë vonë. “Vetëm vdekja s’ka zgjidhje. Çdo gjë tjetër po. Në jetë mund të ndodhë gjithçka, ndaj duhet të gjesh forcën dhe t’i përballosh sfidat e saj. Unë jam përballur me shumë të tilla, të cilat më kanë bërë më të fortë. Sot i shoh gjërat ndryshe. Nëse dikur mërzitesha edhe për zënkën me një shoqe, tani edhe problemet e mëdha i kaloj lehtë.” Ajo që kaloi Irena, nuk ishte aspak e lehtë, por një ferr i vërtetë. Kalvari i vuajtjeve të saj mori fund vetëm pas pesëdhjetë e dy ditësh, kur vrima mes ezofagut dhe zorrës u mbyll vetë. Ishte koha kur Irena mezi priste të fuste në gojë pikat e para të ujit dhe të shijonte ushqimet e para, por që për fat të keq, nuk i arriti dot menjëherë. Mungesa e të ngrënit për gati dy muaj, kishte bërë që ajo të humbte shijen e çdolloj ushqimi. U deshën javë e muaj që trupi i saj të mësohej me rituale të reja ushqyerjeje. Kanë ndryshuar shumë zakone për të, por jeta e saj vazhdon si më parë. “E përditshmja ime nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar vetëm fakti që përzgjedh më shumë njerëzit me të cilët rri. Nuk dal aq shpesh sa dikur. Kur je në fund të tunelit dhe mendon se gjithçka po shuhet, bën një rezyme të jetës dhe gjërave që nuk ke bërë. Tani që m’u dha një mundësi e dytë, këto gjëra i kam para syve dhe dua t’i shijoj. U jam mirënjohëse dy motrave të mia, që më kanë ndihmuar, më kanë mbështetur, kanë qëndruar me mua në çdo çast të vështirë dhe them se pa to, nuk do t’ia kisha dalë dot.” Jo gjithmonë të jepet një mundësi e dytë në jetë. Vetëm disa, ndër ta edhe Irena, kanë pasur fatin ta shohin atë dritën në fund të tunelit. Pas kësaj, e rëndësishme është se çfarë do të bësh me këtë mundësi. Irena Mici ka zgjedhur që të jetojë çdo gjë të rëndësishme e me vlerë. /living