Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës është propozuar edhe projektvendimi për miratimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës për periudhën 1-30 shtator 2018. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot tabelat përmbledhëse të personave me aftësi të kufizuar që do të përfitojnë pagesa të mbrojtjes sociale për muajin shtator.

“Në mbështetje të kuadrit ligjor në fuqi përfitojnë mbështetje financiare këto kategori: persona me aftësi të kufizuar, kujdestari i një personi me aftësi të kufizuar, persona të verbër, kujdestari i një personi të verbër, paraplegjik-tetraplegjik, kujdestari i një paraplegjik-tetraplegjiku, invalidë pune”, – theksohet në relacion.

Bllok-ndihma ekonomike

Në mbledhjen që do të mbahet pas 2 ditësh, pritet gjithashtu miratimi i projektvendimit “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6%, nga fondi i kushtëzuar dhe nga buxheti i Bashkisë Tiranë, për periudhën 1-31 gusht 2018”. Sipas relacionit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pranë Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale janë depozituar në total 337 dosje, e nga këto 122 do të trajtohen me fonde të buxhetit vendor, ndërsa 215 prej tyre nga fondi u kushtëzuar 6%. “Struktura përgjegjëse propozon që të trajtohen familjet që kanë në përbërje të tyre: familje me më shumë se 4 anëtarë në nevojë, familje me një anëtar në nevojë, familje nga 2-4 anëtarë në nevojë, familje rome dhe egjiptiane, vajza-nëna në nevojë, gratë kryefamiljare të divorcuara/ të veja me fëmijë në ngarkim, familje me 2 anëtarë në vështirësi për t’u pranuar në tregun e punës”, – theksohet në relacion.

“Si rrjedhojë, nga familjet aplikuese, Drejtoria e Mbrojtjes Sociale ka vlerësuar sipas sistemit të pikëzimit të aplikantëve për çdo njësi administrative dhe ka hartuar tabelën përmbledhëse të aplikantëve për çdo njësi administrative dhe bazuar në to propozon listën totale të çdo familjeje të mundshme përfituese nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6% dhe me fondet e buxhetit vendor, si dhe masën e ndihmës në lekë për çdo familje”, – thuhet në vendim.