“Përfshirja dhe integrimi social i fëmijëve me aftësi të kufizuara” duke shfrytëzuar rolin social që ka sporti, është projekti më i fundit që po zhvillohet në qytetin e Durrësit, nën organizimin e Qendrës Edukative Sportive dhe Kulturore “Juvenilja 2014”.

Misioni i këtij projekti është të ndihmojë atë pjesë të popullsisë që ka probleme të theksuara psiko-fizike dhe sociale, veçanërisht fëmijët dhe adoleshentët në nevojë.

Ky projekt pilot synon që rreth 100 fëmijët e regjistruar në Shkollën Speciale për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Durrës, nga të cilët 68 djem dhe 32 vajza, të jenë përfitues direkt duke synuar një ndikim më të gjerë te komuniteti dhe aksesibilitetin e fëmijëve.

Francesco Vitobello, ekspert i aktiviteteve sportive dhe njëherësh menaxher i projektit, thotë për “DurrësLajm”, se “QESK Juvenilja” ka si qëllim fuqizimin e aktiviteteve brenda kësaj shkolle nga ku do të synohet një shërbim cilësor për shëndetin psiko-fizik dhe social të fëmijëve, nëpërmjet praktikave sportive të ndryshme duke trajnuar dhe informuar stafin pedagogjik të shkollës dhe prindërit.

“Ky projekt ka lindur si ide dhe financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkia e Durrësit dhe objektivi është të ndihmojnë ata fëmijë që pranë familjeve të tyre nuk i kanë mundësitë për t’u përfshirë në jetën sociale. Falë këtij projekti që zgjat 8 muaj, në 4 muajt e parë kemi punuar për zhvillimin e skedave vlerësuese për çdo fëmijë. Ndërsa tani në tetor ka ardhur momenti që të fokusohemi te pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitetet e ndryshme sportive, ku do të ushtrohen këtu në palestrën e shkollës apo dhe në ambiente të tjera sportive më të mëdha. Duke mbajtur në konsideratë ndërkohë edhe nevojat individuale të fëmijëve; trajnimin e prindërve nga specialistët e fushës, me qëllim aftësimin e tyre në aplikimin e këtij programi; nxitjen e lobimit dhe sensibilizimit nga vetë prindërit që kanë qenë mbështetës të mëdhenj”, thotë Vitobello.

Edhe prindërit shprehen entuziastë për projektin dhe rezultatet që japin në përmirësimin e jetës sociale të fëmijëve të tyre, duke shtuar se duhet të zvillohen sa më shumë aktivitete të tilla ku të përfshihen fëmijët me aftësi ndryshe.

*Programi Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor – ReLOaD financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

S.L.