Mbi 135 vogëlushë i janë drejtuar çdo ditë për ndihmë mjekësore urgjencës pediatrike të Spitalit Rajonal të Durrësit.

Ndryshimi i temperaturave ka shkaktuar rritjen e numrit të fëmijëve të prekur nga virozat, kryesisht moshat nga 0 deri në 10 vjeç, duke sjellë fluks të shtuar në këto ditë të para të 2018-s.

Dy ditët e para të vitit, qendrat shëndetësore të lagjeve kanë qenë të mbyllura për shkak se ishin pushim dhe detyrimisht të gjithë prindërit i kanë sjellë në urgjencë fëmijët e tyre, ku në gatishmëri kanë qenë ekipi i mjekëve dhe i infermierëve.

Temperaturë të lartë, frymëmarrje me vështirësi dhe diarre janë disa prej simptomave që i çojnë fëmijët drejt dyerve të spitalit, për të kërkuar ndihmën e mjekut.

Xhevi Shkreli, mjekja pediatre infeskioniste e Spitalit të Durrësit, pohon se në ditët e para të vitit të ri numri i pacientëve ka qenë i lartë dhe të gjithë fëmijët kanë marrë shërbimin e duhur mjekësor. Fluksi ka vijuar i lartë edhe pas hapjes së qendrave shëndetësore në lagje.

Temperaturat kanë pësuar vlera të ulëta e të larta jo normale për këtë stinë, duke shkaktuar edhe komplikacione te fëmijët.

K.H.