Që një familje të jetë e shëndetshme së pari duhet të rritet në një mjedis të pastër, duke i ndarë mbetjet, sidomos plastikën që nga shtëpia, çka sjell edhe riciklimin e tyre në burim; ndaj ndiqni shembullin e fëmijëve dhe mbështetini kërkesat e tyre humane e qytetare, siç edhe ndodh në BE.

Sot zëri i sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit për pastrimin dhe kujdesin e shtëpisë tonë të përbashkët, Tokës erdhi nga më të vegjlit e shkollës Ibrahim Kodra, nxënësit e ciklit fillor, pas aksionit të bishtave të cigareve në plazhin e madh të Durrësit.

@River-Cleanup.org/ishëm me qendër në Bruksel, pas 14 aksionesh vullnetare të lëvizjes @RiverCleanupAlbania, dje ishin në Shqipëri, në Durrës, konkretisht edhe në mjediset e shkollës Ibrahim Kodra, si një nga shkollat pioniere në lëvizjet qytetare dhe mjedisore.

Nxënësit e klasave fillore nën kujdestarinë e mësuesve të tyre, udhëhequr nga partnerët e huaj të River-Cleanup.org,  Ines Goovartes dhe Kevin de Backer, si edhe nga ekipi i trajnuar i  RiverCleanupAlbania, u bënë pjesë e një leksioni me imazhe dhe filmime të shkurtra mbi edukimin tek fëmijët për sjellje qytetare të mirëmbajtjes së mjedisit nga plastika.

Lumi Ishëm është objektivi i kësaj organizate, por për shkak të moshës, fëmijët u përfshinë sot në një aksion mjedisor për pastrimin e terrenit përreth shkollës. Tek e fundit ai lumë, mbetjet e hedhura pa kriter nga ne njerëzit, mban në rrjedhën e tij. 

Padyshim qëllimi i ditës ishte që këta fëmijë pas ditës së sotme të rrëfejnë tek familjarët dhe miqtë e tyre, se ata kanë pastruar atë që më të rriturit, njerëzit e pandërgjegjshëm bëjnë. 
E të dëshmojnë gjithashtu se Toka është shtëpia e tyre ku do të ndërtojnë të ardhmen. 

Një prej përfaqësuesve të huaj, Kevin de Backer, që udhëhoqi këtë aktivitet u shpreh, “Misioni ynë është të pastrojmë lumenjtë e ndotur. Lumi Ishëm është më i ndoturi dhe ambicia jonë është që ai të jetë lumi më i pastër në Europë. Ndjejmë që ka shumë energji në Shqipëri për të bërë ndryshimin, aq më tepër kur idesë për ndryshim i bashkohen fëmijët dhe të rinjtë”.