Jeta e Vjollcës ndryshoi rrënjësisht në momentin që vuri re se diçka nuk shkon me gjoksin e saj.

60-vjeçarja e cila banon në Durrës prej shumë vitesh, zbuloi rastësisht në muajin prill teksa ndodhej tek e bija në Itali se një masë tumoriale ishte krijuar në trupin e saj.

Nuk kishte dhimbje por dhimbjen, atë shpirtërore do ta ndjente më vonë, kur mjeku italian t’i komunikonte se ajo ishte prekur nga kanceri i gjirit…

Vjollca tregon se përveç check-up, nuk kishte kryer kurrë më parë kontroll për këtë sëmundje dhe sigurisht që përballja me të ishte e frikshme, nisur edhe nga vetë emri që ka; kancer.

E dhimbshme ishte edhe për fëmijët e Vjollcës, pasi siç tregon edhe e bija, nuk kishin informacion më parë për atë me të cilën e ëma e saj do luftonte për jetën. E ndonëse e re në moshë, as ajo vetë nuk kishte bërë më parë eko apo mamografi.

Por pasi kanë kaluar disa muaj që prej kohës kur 60-vjeçarja kreu ndërhyrjen dhe është në trajtim mjekësor, ajo tregon se para se të diagnostikohej me kancer gjiri, ka qenë më e lumtur.

Ndonëse arriti ta kapte në kohën e duhur, ajo sërish frikësohet se sëmundja mund t'i rikthehet, ndaj edhe nuk ngurron t’iu bëjë thirrje femrave të tjera të mos neglizhojnë kontrollin te mjeku specialist.

G.D.