Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hapi Qendrën e re Komunitare të Shëndetit Mendor dhe Shtëpinë Mbështetëse në Kavajë, për të ofruar shërbime rehabilituese për personat me çrregullime të shëndetit mendor.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu mori pjesë në hapjen e qendrës së re, ku theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të implementuar planin e de-institucionalizimit, që siguron shërbime sa më afër modelit familjar për personat me probleme të shëndetit mendor.

“Bazuar në strategjinë e shëndetit mendor që qeveria shqiptare është duke zbatuar, jam e kënaqur teksa sot shohim të bëhet realitet plani ynë për deinstitucionalizimin dhe decentralizimin e shërbimeve të shëndetit mendor, me hapjen e Shtëpisë Mbështetëse dhe Qendrës Komunitare të shëndetit mendor në Kavajë, sepse, po krijojmë mundësi për trajtim të specializuar të personave me probleme të shëndetit mendor në Shtëpi Mbështetëse, që i përngjajnë mjedisit familjar”, tha Manastirliu.

Shtëpia Mbështetëse në Kavajë, një strukturë e re socio-shëndetësore, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 81 milion lekë do të ofrojë dy shërbime: do të shërbejë si qendër komunitare e shëndetit mendor si dhe Shtëpi Mbështetësë me një ekip multidisiplinar të përbërë nga mjek psikiatër, infermierë, psikologë dhe punonjës social që do të shërbejë për rehabilitimin e personave me çrregullime më të lehta të shëndetit mendor që do të transferohen nga spitali i Elbasanit. Bazuar në strategjinë e shëndetit mendor, me hapjen e qendrës së Kavajës shkon në 10 numri i qendrave komunitare të shëndetit mendor të hapura në rang kombëtar dhe 13 Shtëpi Mbështetëse për rehabilitimin e personave me crregullime të shëndetit mendor.

“Ajo çfarë ne jemi duke realizuar nëpërmjet strategjisë së re për sa i përket kujdesit parësor është pikërisht fokusi në shërbimin socio-shëndetësor. Dhe kjo qendër qe ne tashmë hapim për herë të parë në Kavajë, do të ketë integrimin e shërbimeve socio-shëndetësore në plan të parë, që do të thotë aty ku ka shërbim social është i atashuar dhe shërbimi shëndetësor dhe aty ku ka shërbim shëndetësor do të jetë i atashuar dhe shërbimi social”, tha Manastirliu.

Duke falënderuar Komunitetin Sant'Egidio për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve për ofrimin e shërbimeve të tilla model, Manastirliu tha se fokusi i qeverisë është ofrimi i shërbimeve sa më afër modelit familjar.

“Ne kemi sot 680 shtretër në të gjithë Shqipërinë për sa i përket trajtimit të personave të cilët vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, por çfarë është më e rëndësishme është pikërisht krijimi i strukturave akomoduese larg spitaleve ku të mundemi të mbështesim këto persona të cilët do të mund të marrin shërbimin në kushte shtëpie, në kushte familjare”, tha Manastirliu.

Sëmundjet e shëndetit mendor vijnë në rritje nga viti në vit dhe sipas të dhënave botërore, në vitin 2020 pritet të zënë vendin e parë në Botë, ku 1 në 4 persona mund të preket nga këto probleme. Aktualisht është rritur edhe rimbursimi i medikamenteve falas për këtë kategori. Gjatë këtij viti janë 1.9 milion dollarë për rimbursimin e barnave për semundjet e shëndetit mendor (190 milion lekë)  ose 3% më shumë krahasuar me vitin 2018.