Shkon në 13 numri i të prekurve me fruth në pediatrinë e QSUT. Fëmijët të gjithë nën moshën 3 vjeç po mbahen të shtruar në pavionin infektiv ku dy nga 13 raste po kurohen edhe për pneumoni të shkaktuar nga fruthi. Posi ka mundur të rishfaqet sërish fruthi pas afër 30 vitesh që konsiderohej i zhdukur.

Mjekë të shërbimit pediatrikë kanë analizuar kronologjinë që nga rasti i parë i paraqitur me fruth në QSUT. Burimi i përhapjes së virusit të fruthit dyshohet se ka qenë një shtetas kosovar, i cili ka vizituar një të afërm në spital Nënë Tereza pak ditë para Vitit të Ri. Nga personi i infektuar me fruth, virusi mendohet të jetë përhapur tek ata fëmijë të pavaksinuar që janë paraqitur gjatë të njëjtës periudhë në spital me patologji të tjera. Pas infektimit fëmijët nuk kanë shfaqur shenjat karakteristike të fruthit për një periudhë që shkon mbi 2 javë kohë gjatë së cilës viruse qëndron i fshehur në trup çka konsiderohet dhe si periudha e inkubacionit.

Këta fëmijë pasi kanë lënë spitalin kanë përhapur virusin tek bashkëmoshatarë të tyre gjithashtu të pavaksinuar. Pra në më pak se 20 ditë nga një rast i vetëm sot numri ka shkuar në 13, dhe sipas mjekëve priten raste të reja pasi shumë prindër kanë refuzuar të vaksinojnë fëmijët me vaksinën MMR, Fruth, Shyta, Rubeolë, që sipas kalendarit të vaksinimit bëhet kur fëmija mbush vitin e parë të jetës.
Ekspertët mendojnë se të pavaksinuar janë mbi 1000 fëmijë që përballen me një rrezik real të prekjes nga fruthi një sëmundje e rëndë virale që çon deri në mortalitet.

Kur kanë kaluar 3 ditë pas publikimit në News 24 dhe BalkanWeb të lajmit shokues të rishfaqes së fruthit në Shqipëri që rezultonte i zhdukur prej 30 vitesh, nuk ka asnjë reagim zyrtar si nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP. Por rreziku i rishfaqjes së fruthit është paralajmëruar që dy vite më parë nga instituti i shëndetit publik i cili që aso kohe dha alarmin se shumë prindër po refuzonin kryerjen e vaksinën MMR tek fëmijët e tyre ose në rastin më të mirë e shtynin vaksinimin pas moshës 2 vjeç pas frikës së përhapur si virus kryesisht në rrjetet sociale se vaksina MMR shkakton Autizëm. Ky lajm u cilësua i gënjeshtër nga OBSH dhe ISHP që reaguan me forcë duke apeluar popullatën të vaksinonte fëmijët dhe se faktet e pretenduara janë false pa asnjë të vërtetë shkencore.

Pavarësisht fushatës sensibilizuese shumë prindër i lanë fëmijët të pavaksinuar të ndikuar sa nga lajmet fake e po kështu edhe nga doktrina fetare ku spikasin disa grupe të vogla radikale brenda besimit islam. Të rrezikuar nga fruthi dhe sëmundje të tjera mendohet se ka edhe fëmijë të komunitetit me ngjyrë që janë gjithnjë në lëvizje. ISHP paralajmëroi dy vite më parë se ekzistonte rreziku I përhapjes së fruthit tek personat e lindur në vitet 80-90 dhe që nuk e kanë kaluar sëmundjen. Sipas ISHP në këtë dhjet-vjeçar nuk ka funksionuar zinxhiri i ruajtjes të vaksinës sipas protokolleve çka e ka bërë të pavlefshëm vaksinimin tek ky grup i popullatës. Këtë fakt e përforcon edhe epidemia e fruthit që ra në vitin 1988 që infektoi një numër të madh fëmijësh të vaksinuar me fruth. /BalkanWeb