Mungesa e medikamenteve në Urgjencën e Durrësit, është një problem i trajtuar herë pas here në "DurrësLajm" me kërkesë të qytetarëve që ju duhet të përplasen dyerve të spitaleve.

Edhe pse kreu i qeverisë, "shëndetësinë falas" e përmend kudo si një nga arritjet më të mëdha të Rilindjes, fatkeqësisht në Urgjencën e spitalit të Durrësit kushton, për dikë më lirë e për dikë më shtrenjtë por ama kushton!

Qytetarë të shumtë, drejtohen drejt urgjencës së qytetit për të kërkuar ndihmën e bluzave të bardha për shkak të komplikacioneve në shëndet. Dikush me tension të lartë e dikush tjetër me marrje mendsh apo probleme nga më të ndryshmet por të gjithë në nevojë të "shëndetësisë falas".

Por edhe pse premtohet për furnizim të të gjitha reparteve me ilaçe, mbrëmjen e sotme, prometazine mungonte, të sëmurët duhet ta siguronin vetë nëse donin që gjendja e tyre të përmirësohej!

Është shqetësuese kur mendon se një pacient mund të jetë i vetëm ose një tjetër mund të ketë harruar portofolin nga nxitimi ndërsa mjeku pa të shikuar në sy të thotë që ilaçi që të rikthen në normalitet, mungon në urgjencën e spitalit të qytetit të dytë më të madh në vend. Drithëruese çfarë ndodh nëpër rrethina!

Ishte vera e vitit 2018-ë kur "DurrësLajm" publikoi denoncimin e një qytetari i cili ishte detyruar të blinte fasho në farmacitë rreth e rrotull spitalit për të afërmin e tij që ishte me plagë e hemoragji në trup.

Ndoshta për dikë mund të mos jetë asgjë kjo por nëse do kujtojmë shëndetësinë nëpër botë, me të njëjtën botë që qeveritaret kanë maninë të na krahasojnë për taksat, besoj të gjithë njësoj do ndihemi fatkeq për shërbimet që na ofrojnë.

Akoma më i rëndë ishte rasti i denoncuar në dhjetor po të vitit 2018, ku një e sëmurë në spitalin e Durrësit që ishte në gjendje të pavetëdijshme, torturohej nga temperatura e lartë ndërkohë që termotetri shënonte 37°C, i cili më pas rezultoi të ishte i prishur.

Me të drejtë asokohe, "DurrësLajm" ngriti pyetjen: A i ka apo jo spitali i Durrësit medikamentet bazë për kurimin e sëmundjeve? Një pyetje që edhe sot pret përgjigje.

G.D.