Komiteti i Maturës Shtetërore 2018, vlerëson se gjatë provimit të Maturës të zhvilluar një ditë më parë, ka rezultuar se 11 maturantë kanë qenë të pajisur me aparate telefoni celular. Pas kësaj shkeljeje, Komiteti i Maturës Shtetërore ka vendosur përjashtimin dhe mosnjohjen e rezultatit për 11 nxënësit maturantë që u konstatuan me aparate celularë në mjediset e provimeve.

Nxënësit e kapur me celularë:

DAR Gjirokastër:  1 nxënës

DAR Kukës:         6 nxënës

DAR Tiranë:       2 nxënës

ZA Kurbin:         2 nxënës

Në qendrën e provimit, Filiali i Universitetit Dibër, drejtori i gjimnazit “Said Najdeni”, Shefki Çorja, me veprimet dhe mos veprimet e tij dhe në shkelje të etikës, me detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të institucionit, ka penguar krijimin e kushteve normale për zhvillimin e provimit në këtë qendër.

Për pasojë, ky Komitet ka vendosur t'i kërkojë Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër, zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.

Nga shqyrtimi i rasteve të mësipërme, rezultoi se 5 administratorë nuk identifikuan maturantët me celularë të cilët, u identifikuan nga monitoruesit e MASR. Për 5 administratorët që kanë shkelur rregulloren e Maturës Shtetërore do të merren masa disiplinore deri në largim nga puna.