Të verbërit, jo vetëm në Durrës por në shkallë kombëtare, përballen jo vetëm me pamundësinë fizike të të parit, por më shumë edhe me indiferencën e shtetit në krijimin e kushteve më të përshtatshme për ta.

“Pagesat e paindeksura që prej vitit 2009 si dhe problemet e mëdha sociale dhe ekonomike me të cilat përballet kjo shtresë shoqërie ishin objekt i takimit të radhës të zhvilluar në Durrës nga shoqata e të verbërve”, deklaroi Franko Rrufaj, kryetar i shoqatës së të verbërve në Durrës.

Për vitin 2018, për këtë kategori është parashikuar në buxhet një rritje prej 5% që është e pamjaftueshme për t’i dhënë zgjidhje nevojave më emergjente të tyre.

Nëntori është një muaj zgjedhjesh për këtë shoqatë. Anëtarësia voton për drejtuesin e ri. Në qytetin e Durrësit numërohen aktualisht 500 anëtarë. Në mbyllje të diskutimeve, u vijua me votimet. Në krye të shoqates së të verbërve për degën e Durrësit u zgjodh Jonuz Meta.

K.H.