Shqipëria ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Fespo 2019” në Zürich të Zvicrës, ku janë prezantuar bukuritë natyrore dhe mundësitë që ofron për turistët.

Edhe këtë herë bukuritë shqiptare janë prezantuar nga Saimir Shala, i cili tashmë organizon udhëtime grupore nga Zvicra për në Shqipëri.

Standin ku po flitet për Shqipërinë e ka vizituar edhe ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni. Diplomati nga Tirana thotë se nga viti në vit ka rritje të numrit të turistëve.

“Janë të paktën 4 mijë turistë më shumë zviceranë që kanë vizituar Shqipërinë vitin e kaluar”, deklaron Gjoni. Se e ka bërë shteti mjaft për të promovuar turizmin jashtë vendit, diplomati shqiptar përgjigjet: “Tirana ka punuar për të pasuruar imazhin e vendit në sy të botës dhe kjo, sipas tij, është bërë nga përfaqësitë diplomatike dhe mediat që kanë shkruar vazhdimisht për Shqipërinë si atraksion turistik“.

“Vitin e kaluar kapëm shifrën 5 milionë turistë, ndërsa deri në vitin 2020 synojmë 10-milionëshin. 5 milionë turistë për një popullsi prej 3 milionësh nuk është pak dhe është një tregues për bumin e këtij sektori të ekonomisë në Shqipëri, e që po kthehet në një nga sektorët më të qëndrueshëm të vendit.

Agjencia e Turizmit e Shqipërisë ende nuk e ka përcaktuar Zvicrën si vend për të marrë pjesë në një panair, ku do të prezantohen bukuritë shqiptare, por këtë po e bën për dy vjet i vetëm Saimir Shala, në panairin “Fespo” në Zürich. Por, autoritetet e turizmit Shqipëri- Kosovë kanë punuar bashkë në mënyrë intensive dhe tani, sipas diplomatit nga Shqipëria, janë në fazën e formalizmit për të krijuar në kuadër ligjor turizmi.

Ka shumë zviceranë që ndalen te standi i Saimirit dhe interesohen për Shqipërinë dhe bukuritë që ka vendi. “Ne kemi më shumë produkte për turizmin malor, sidomos për Veriun e Shqipërisë, Thethin dhe Valbonën”, tha Saimir Shala, i veshur me veshje kombëtare shqiptare, i cili po prezanton bukuritë e Shqipërisë para Mongolisë, vendi pritës i panairit të sivjetmë. Saimirin nuk po e pyesin më si është siguria në Shqipëri.

“Impakti me këtë ngjarje është të ndërtojmë ura, por të gjitha punët po shkojnë në drejtim të duhur”.

Me “Albanien Reisen” është rritur puna 300 për qind. “Që nga tani, ende pa filluar sezoni, janë bllokuar të gjitha vendet për pranverë, do të thotë interesimi është i madh. Interesimi është i madh edhe i kompanive zvicerane turistike që nuk e kanë në programet e tyre edhe Shqipërinë”.

Shtimi i linjave Zürich-Tiranë do ta rrisë numrin e turistëve zviceranë në Shqipëri. Ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, pret që shtimi i linjave Zürich-Tiranë ta rrisë numrin e turistëve zviceranë në Shqipëri. “Zvicra ka potencial turistik për Shqipërinë, edhe për shkak të çerek milionit të diasporës shqiptare që jeton në vendin helvetik. Të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu kanë miq, shokë, kolegë që iu flasin për bukuritë shqiptare”.

Kompania zvicerane “Edelweis” dhe ajo “Germania Flug AG” do ta zgjerojnë rrjetin e tyre të qarkullimit dhe gjithashtu do të fluturojnë edhe në vendin e shqiponjës dykrenare. Në verën e vitit 2019 kryeqyteti shqiptar, Tirana, do të shtohet në orarin e fluturimeve.

Nga data 1 prill 2019 linja ajrore “Edelweis” do të fluturojë nga Cyrihu për në Tiranë gjatë ditëve të hëna dhe të premte, ndërsa “Germania Flug AG” do të fillojë nga 30 maji, të enjteve dhe të dielave. Lejla Ibrahimi, e cila drejton kompaninë “Air Prishtina”, po vizitonte standin e Shqipërisë në Zürich dhe është e bindur se numri i turistëve zviceranë do të rritet edhe me shtimin e linjave ajrore direkte Zürich- Tiranë.

Ibrahimi flet nga përvojat që kanë si “Air Prishtina” me tregun e Kosovës dhe Maqedonisë, duke shtuar llojllojshmërinë e paketave turistike në tri vende, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

“Ne kemi për qëllim të ofrojmë paketa turistike për fundjavë “Citytrips”. Të enjten është fluturimi pasdite nga Cyrihu, ndërsa të dielën pasdite është kthimi nga Tirana. Ne si “Air Prishtina” synojmë të zgjerojmë rrjetin edhe në Shqipëri, duke sjellë paketa kualitative, të cilat i organizojmë sipas kërkesave të turistëve. Ne punojmë sipas planit që turistët të kenë dëshirë të shkojnë sërish dhe të flasin për paketat tona”, thotë për albinfo.ch zonja Ibrahimi.

“Ne jemi krejt në fillim dhe duhet të analizojmë tregun si është më mirë dhe nuk duhet të shpejtojmë, ngase turistët janë të gjithë zviceranë dhe ne synojmë t’u ofrojmë udhëtime kualitative, jo vetëm për një sezon, por në afat të gjatë”. Paketat e “Air Prishtina” do të jenë të ngjashme si në Maqedoni, por me një gamë më të madhe në Shqipëri, për shkak të atraksionit të madh turistik që ka vendi.

Nga 31 janari deri më 3 shkurt 2019, 65 mijë vizitorët e FESPO-s kanë mësuar për traditat mongoliane dhe kulturën nomade. Mongolia ka nderuar këtë vit panairin më të madh të Zvicrës, si një vend pritës. 600 ekspozues turistikë kanë marrë pjesë në panairin e sivjetmë “Fespo 2019”.