Siguria ushqimore është në pikën e hallit për konsumatorin vendas.

Në të gjithë markatën e Durrësit, e vetmja ku drejtohen masivisht qytetarët durrsakë, nuk ka asnjë produkt me etiketë, për vendin e origjinës së produkteve, kushtet e ruajtjes, afatet e skadencës, etj. Tregtarët thonë se kur bëjnë furnizimin tek tregu i shumicës, interesohen nga cili rreth i vendit vijnë produktet që ata do të tregtojnë më pas me pakicë për konsumatorin, duke nisur nga rrushi, domatja, e shumë produkte të tjera. 

Pjekja para kohe e fruta-perimeve dhe zarzavateve, përdorimi i pesticideve, kontrolli i hormoneve etj. është ndër shqetësimet kryesore që kanë konsumatorët por që nuk gjejnë asnjë zgjidhje. 

Për zyrën e mbrojtjes së konsumatorit në Durrës, produkte të sigurta për t’u ushqyer nuk ka. Madje nuk mund të thuhet as për frutat e stinës sepse janë pjekur para kohe siç është rasti i shegës.

AKU kontrollet i ka me aksione për produktet e bulmetit, ndërsa mjetet për të matur e kontrolluar nivelin e pesticideve dhe nitrateve që përdoren për pjekjen para kohe të produkteve ushqimore mungojnë, apeloi kryetarja e zyrës së mbrojtjes së konsumatorit në Durrës.

Pjepri ka rezultuar këtë sezon veror si fruti me përmbajtjen më të lartë të pesticideve, më shumë se  20 herë.

Zyra për mbrojtjen e konsumatorit në Durrës ka reaguar disa ditë më parë ndaj shqetësimit të shumë qytetarëve për sigurinë ushqimore. Ersida Teliti, deklaroi se është një zinxhir i madh i hallkave të shtetit së bashku me tregtarët dhe fermerët, që duhet të marrin masa konkrete.

K.H.