Mjaft kritike paraqitet situata në banesat e dëmtuara më rëndë nga dy lëkundjet e fuqishme të tërmetit të së shtunës.

15 shtëpi në njësitë administrative Xhafzotaj, Gjepalaj dhe Maminas janë shpallur të pabanueshme dhe fotot që po publikon DurrësLajm tregojnë më së miri realitetin e trishtë me të cilin po përballen këto 24 orët e fundit këto familje të varfëra.

Mure të çara, suva e rënë dhe fasada të shembura janë disa nga dëmet më të mëdha që konstatohen në terren.

Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana së bashku me një grup deputetësh dhe kryebashkiakësh ka inspektuar nga afër të gjitha shtëpitë e dëmtuara dhe të shpallura të pabanueshme. Kryeministri Rama urdhëroi në mbledhjen me prefektët, ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët që I gjithë fokusi të jetë i përqendruar tek qarku i Durrësit.

Një një komunikim gjatë paradites, kryebashkiaku Arbana deklaroi për DurrësLajm se “në njësinë administrative të Maminasit janë ngritur 3 çadra me kapacitet 24 persona, ku janë sistemuar 3 familje, të cilat edhe për shkak të gjësë së gjallë që kanë nuk duan të largohen nga banesat, Ndërkohë, një familje me 8 anëtarë është sistemuar pranë Kavaleshencës Durrës.”.

Ndërkohë, në të gjithë bashkinë e Shijakut rezultojnë 95 banesa me dëmtime të lehta.