“Sallat e operacionit të kirurgjisë në qendrën më të madhe spitalore në vend, nuk do të kenë dallim nga spitalet europiane”. Kështu tha gjatë inspektimit të punimeve në Spitalin e ri të Kirurgjisë në QSUT, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shtoi se investimi prej 8.8 milionë euro do të rrisë cilësinë e shërbimit për pacientët, por edhe mjekët do të punojnë në kushte bashkëkohore.

“Jemi në fazën përfundimtare për të vënë në funksion spitalin e ri të kirurgjisë në QSUT, një premtim i bërë realitet, që i shërben mbi 62 mijë pacientëve në vit. Por nuk janë vetëm llaç e tulla. Ky investim është në zemër të kirurgjisë për të gjithë vendin, me aparatura të teknologjisë së lartë që do të përmirësojnë cilësinë e shërbimit për qytetarët”, tha Manastirliu.

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT është një investim me vlerë 8.8 milionë euro, ku do të përqendrohet i gjithë shërbimi i kirurgjisë, përfshirë edhe urgjencën. Spitali i ri i kirugjisë do të ketë një kapacitet me 120 shtretër, duke bërë të mundur transferimin e të tre klinikave të kirurgjisë së përgjithshme në këtë godinë.

Spitali i ri do të ketë 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, Tiroidet, Toraksi, Kirurgji Abdominale, me një kullë laparoskopie secila), njëra prej të cilave krejtësisht digjitale, që ju shërben edhe studentëve të mjekësisë për të ndjekur nga afër ndërhyrjet operatore në praktikën e tyre klinike. Spitali i ri ka edhe 2 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

Qeveria shqiptare po investor rreth 30 milionë euro për modernizimin e QSUT-së me ndërtimin e Spitalit të Ri të Kirurgjisë, Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Pediatrisë. Nga këto investime pëfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5,000 punonjës staf mjekësor dhe jo mjekësor, si dhe rreth 1,000 studentë të mjekësisë.