Një studim i fundit i “World Vision” raporton shifra alarmante të ushtrimit të dhunës ndaj fëmijëve. Gati 70 % e fëmijëve në vendin tonë janë shprehur se kanë përjetuar të paktën një herë të vetme gjatë vitit të fundit, dhunë në familje, shkollë apo lagje. Nisur nga kjo situatë vetë të rinjtë kanë menduar të sensibilizojnë shoqërinë për fenomenin e trishtë që po ndodh ndaj tyre. Ata kanë çelur një ekspozite me foto të ndryshme ku përcjellin mesazhin: “#MOS – Dhuna na tjetërson”.

Bullizmi, dhuna në familje, konfliktet me shokët apo varësia nga interneti janë vetëm disa nga temat e  15 fotoreportazheve, që të rinj nga 10 zona të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës kanë sjellë në ekspozitën e përbashkët “#MOS – Dhuna na tjetërson”. Këtë herë janë vetë të rinjtë që ngrenë zërin për problematikat e tyre në ekspozitën që do u çel më 18 Korrik, ora 19:00, në Kalanë e Tiranës dhe do të qëndrojë e hapur për 4 ditë me radhë. "Duhet një botë e tërë për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve!" ky është mesazhi kryesor që reporterët e rinj kanë sjell përmes situatave të rikrijuara në fotoreportazhet e tyre.

Sipas raportit të mirëqenies së fëmijëve, 67% e fëmijëve pohojnë se nuk e konsiderojnë lagjen si një vend të sigurt, ndërkohë 56% e tyre raportojnë se nuk ndjehen gjithnjë të sigurtë në ambientet e shkollës. Reporterët e rinj kërkojnë të ndërgjegjësojnë secilin prej nesh duke rrëfyer histori të vërteta që iu kanë ndodhur fëmijëve apo të rinjve në familjen, shkollën apo lagjen e tyre.

"Ka njerëz që dhunën e shohin si një gjë që s’ka të bëjë me ta. Më lini t’ju them se dhuna herët a vonë na prek, në mos na ka prekur të gjithëve. Ne nuk mund të rrimë pa folur e të kthejmë kokën në anën tjetër kur shohim që fëmijët keqtrajtohen dhe shfrytëzohen. Nuk mund të jetojmë aty ku jetojmë: në lagje, në pallat, në fshat, të dëshmojmë dhunën dhe të heshtim. Dhuna, keqtrajtimi, mospërfillja lë gjurmë në jetën e fëmijëve. Për këtë arsye, janë marrë përkushtimin që të ofrojë ndihmë për fëmijët e dhunuar dhe të shfrytëzuar. Ne mund të zgjedhim të reagojmë si shoqëri: 1. Të zgjedhim që të kemi dhembshuri për këdo, sidomos fëmijët dhe 2. Të zgjedhim që të ndihmojmë dhe mbështesim fëmijën që ka përjetuar dhunë sepse çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë një jetë me dinjitet. Duhet secili nga ne dhe një botë e tërë për të zhdukur dhunën ndaj fëmijëve," tha Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor.

Të rinjtë janë trajnuar nga gazetarë të mirënjohur si Fatos Baxhaku, Armand Mero apo Elira Canga që të shkruajnë në blogun “Reporteri” mbi problematika të ndryshme sociale që i shqetësojnë në zonat ku ata jetojnë. "Nxënësit vullnetarë të projektit "Reporteri" nga Dibra, Tirana, Elbasani, Durrësi, Kurbini, Librazhdi, Korça, Lezha, Shkodra e Kosova, në këtë fotoekspozitë na përçojnë mendimin e tyre: mirësia ndahet me të tjerët, asgjë nuk mund ta ndal shpresën për të qenë më mirë nëse mbështesim supet te njëri-tjetri.

Vetëm kështu dhuna, babëzia, fodullëku, egoizmi, urrejtja, skërmitja e dhëmbëve, të gjitha këto mund të shndërrohen vetëm në figura letrare nëpër tekstet e letërsisë dhe jo si ngjarje të përditëshme sikurse janë sot. Fëmijë e adoleshentë me këtë ekspozitë kanë gjetur mjetin e tyre të thjeshtë: fotoreportazhin. Ata kanë meritën se kanë kthyer te ne një zhanër elitar, që kishte kohë i harruar nën peshën e lajmeve të bujshme. Askush nuk priste prej tyre scoop-in, lajmin e bujshëm, tronditës. Arma e tyre e fortë është ndershmëria dhe zemra e madhe që nuk rreh vetëm për vete. Bashkohuni me ta në këtë eskpozitë…" u shpreh Fatos Baxhaku.