Në ditën e gjashtë të izolimit total të popullatës, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, të parët që kanë dalë në protestë janë komuniteti rom, banorë të lagjes nr. 14 në Nishtulla të Durrësit. Banorët, të cilët i janë bindur urdhrit të kryeministrit për të qëndruar brenda shtëpive, e kanë duruar këtë masë ekstreme vetëm pak ditë.

Sot ata kanë dalë në rrugë e kanë deklaruar se nuk kanë ushqim në familjet e tyre. Këta banorë jetesën e përditshme e sigurojnë duke mbledhur kanaçe dhe plastikë në kazanët e plehrave nëpër të gjithë qytetin e Durrësit. Nëse ata nuk kryejnë punën e tyre të përditshme, që u siguron të ardhura minimale, u mungon ushqimi bazë në familjet e tyre.

Sot ata kanë kërkuar ndihmë nga qeveria për të siguruar mbijetesën e familjeve të tyre.

Në Nishtulla jeton një prej komuniteteve më të varfëra të qytetit. Janë dhjetëra e dhjetëra familje që nuk kanë asnjë të ardhur dhe mbijetesën e sigurojnë vetëm nga shitja e metaleve, plastikës e kartonave.

K.H.