Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit po ndihen ende në ekonominë durrsake. Si biznesi i madh, ashtu edhe ai i vogël po ndjejnë barrën e demit, që ka shkaktuar fatkeqësia natyrore fund nëntorit.

Tregtarët e fruta-perimeve në Durrës thonë se konsumi ka rënë nga 30 deri në 50% në krahasim me vitin e shkuar. Çmimet janë më të lira se çdo sezon tjetër dimëror, madje tregu është plot me prodhime të vendit dhe të importit, por fuqia blerëse ka rënë kohët e fundit.

Rreth 4 mijë familje në Durrës janë prekur nga dëmet e shkaktuara prej tërmetit. Një pjesë e këtyre familjeve janë larguar të tjerë kanë ikur në fshat, ndërsa të tjerë jetojnë në hotele. Blerjet nga konsumatori me pakicë janë të pakta, ndërsa edhe ai konsumator që i drejtohet tregut është mjaft kursimtar në këtë periudhë.

Në markatën e Durrësit, e vetmja që operon për të furnizuar me produkte të freskëta qytetin, ushtrojnë aktivitetin rreth 900 tregtarë, por ashtu siç mungojnë konsumatorët në treg, edhe një pjesë e tregtarëve janë larguar nga tregu. Bankinat e tyre janë bosh, ndërsa fuqia blerëse ka rënë në maksimum.

K.H.