Prodhimi vendas i fermerëve të fushës së Myzeqesë dhe të Beratit në këtë fillim pranvere ka “mbytur” tregun vendas, duke nisur nga perimet e stinës dhe zarzavatet.

Por gjendja e jashtëzakonshme e vendit si pasojë e koronavirusit, ka bërë që çmimet të jenë ende të larta, ndërsa tregtia me pakicë lejohet vetëm në fashën orare të paradites.

Tregtarët në Durrës janë shpërndarë në disa pika, për të shmangur popullimin në të vetmin treg që ka qyteti. 

Tregtarët e shitjeve me pakicë në Durrës thonë se me këtë situatë më të dëmtuar se ata, janë fermerët të cilët kanë prodhuar me bollëk por që prodhimet e  tyre rrezikojnë të mbeten në fusha.

Prej domates, kastravecit, sallatës jeshile, spinaqit, karrotës, lakrës etj , që përbëjnë perimet e stinës, çmimet janë dukshëm më të larta se një vit më parë, ndërsa frutat si portokalli, limoni dhe molla, janë të plantacioneve të Sarandës.

Në treg nuk mungon as prodhimi i importit, por që më i pakët. Qytetarët durrsakë në këtë situatë dalin nga banesat, vetëm për të blerë produktet që ju duhen, ndërsa me kalimn e ditëve dhe zgjatjen e karantinës janë treguar më të kursyer në blerjet e tyre.

K.H.