Fruti i stinës, qershia, ka hyrë me shumicë në tregun e përditshëm në Durrës. Si i pari frut që është pjekur këtë pranverë, të gjithë nxitojnë ta blejnë, pavarësisht se çmimi është ende i lartë për konsumatorin dhe qytetarët e shtresës së mesme. Qershia ka më shumë se dy javë që ka “mbytur” tregun vendas, ndërsa nga dita në ditë çmimi ka ardhur në rënie.

Ditët e fundit, çmimi i një kilogrami qershi varion nga 2000 deri në 3000 lekë, sipas kualitetit dhe cilësisë. Tregtarët thonë se ky frut më së shumti vjen nga fermerët e Beratit. Konsumatorët thonë se ende nuk ka ardhur koha që qershia të piqet e të dalë me shumicë në treg, duke hedhur dyshime të drejta se mund të jetë pjekur në mënyrë artificiale me preparate kimike.

Por pavarësisht kësaj, ashtu si çdo produkt tjetër në tregun e fruta perimeve në Durrës edhe ky frut nuk ka asnjë certifikatë për vendin e origjinës apo të garancisë së tij.

Në treg ka edhe qershi të importuara nga Greqia. Kilogrami varion nga 7 deri në 8 mijë lekë, tre herë më shumë se produkti vendas, i cili blihet nga konsumatori shqiptar.

Pavarësisht se mungon kontrolli për këto produkte, sërish konsumatori i blen, në mungesë të alternativave të tjera dhe çmimeve të larta të importit.

Tregtarët nën zë thonë se qershitë dolën herët në treg sepse u poqën në mënyrë artificiale me shumë preparate nga ana e fermerëve, të cilët donin të dilnin në treg sa më shpejt për aq kohë sa edhe çmimet mbeten të larta për këtë frut të stinës.

K.H.