Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në këtë qytet nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe promovimin e mirëkuptimit mes dy institucioneve.

Marrëveshja e nënshkruar nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Ksenalea Sotirofski dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Alban Isteri, ranë dakord që të dy intitucionet të ideojnë dhe realizojnë aktivitete dhe projekte me interes zhvillimin e përbashkët dhe të mirën e komunitetit të Durrësit.

Marrëveshja përfshin ndër të tjera edhe bashkëpunime për projekte të ndryshme, kryerjen e praktikave për studentët e Universitetit, shkëmbime të përvojave të menaxhimit institucional, si dhe pjesëmarrje e kontribut në konferenca dhe aktivitete të tjera akademike.

Në fjalën e saj, Rektorja Sotrifofski vlerësoi bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Durrës. “Universiteti është pjesë e qytetit dhe dëshiron të kontribuojë më shumë për komunitetin vendor. Ky është synim i përbashkët i yni. Ne kemi projektuar ngritjen e një Bordi Strategjik të Universitetit, pjesë e të cilit do të jenë biznesmenë të rëndësishëm. Së bashku me botën e biznesit, jo vetëm që do të lidhim më mirë Universitetin me tregun e punës, por edhe do të njohim trendet dhe nevojat specifike që ka biznesi në mënyrë që të përmirësojmë kurrikulat”, u shpreh ajo.

Për kryetarin Isteri, “nëshkrimi i kësaj marrëveshjeje është dëshmi e interesit të ndërsjellë të të dy palëve”. “Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor dhe të projekteve të përbashkëta”, theksoi ndër të tjera ai.

UAMD ka intensifikuar bashkëpunimin me bizneset e qytetit të Durrësit dhe jo vetëm, duke synuar të krijojë modelin e një institucioni të arsimit të lartë që bashkon studentët, universitetin dhe botën e biznesit.