Për herë të parë Instituti i Shëndetit publik ka prezantuar Raportin Kombëtar mbi Sëmundjet jo të Transmetueshme, të cilat përbëjnë 70% të barrës së sëmundshmërisë. Sipas të dhënave të këtij raporti, rezulton ulje e vdekshmërisë për sëmundjet kardiovaskulare dhe ato tumorale.

“Falë programeve të shëndetësisë elektronike, sot për herë të parë mund të flasim me shifra konkrete. Raporti i parë kombëtar i sëmundshmërisë kronike, sipas të cilit ka një ulje me 13% për sëmundjet ishemike të zemrës dhe 13% për infarktin e miokardit, tregon shifra që nuk kanë ardhur vetiu. Po janë tregues të politikave të drejta shëndetësore si programi i kontrollit mjekësor bazë për grupmoshën 35-70 vjeç, për të cilin është hedhur shumë baltë nga opozita, por që përgjigjen më të mirë e kanë dhënë qytetarët, duke e kryer në këto 4 vite, 1 milion qytetarë”, tha Manastirliu.

Duke renditur si një ndër faktorët e përmirësimit të treguesve të shëndetit, përmirësimin e trajtimit për sëmundjet kardiake, Manastirliu tha: “Sot ne mbulojmë 80 % të nevojës me financim publik për trajtimin e sëmundjeve kardiake, duke mbajtur një premtim për uljen e shpenzimeve nga xhepi për qytetarët”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe tek zgjerimi i barnave me rimbursim, si një element i rëndësishëm i përmirësimit të trajtimit dhe zgjatjes së viteve të jetës së shëndetshme, me marrëveshjet e reja që do të realizohen këtë vit.

“Ne jemi të orientuar drejt parandalimit të sëmundjeve kronike, përmes trajtimit më efektiv të tyre. Në 3 vitet e fundit kemi rritur me 30 milion dollar buxhetin për barnat e rimbursueshme dhe në këtë moment jemi në një fazë të rëndësishme të zgjerimit të përfituesve nga lista e barnave falas, me zgjerimin e marrëveshjeve me kompanitë multinacionale, për të trajtuar me barna falas më shumë pacientë, me sëmundje kronike apo akute”, tha Manastirliu.