Banorët e Astirit vijojnë qëndresën e tyre duke kundërshtuar me forcë projektin e Unazës së Re, i cili prek shumë shtëpi dhe biznese në këtë zonë. Kjo protestës ka hyrë në ditën e 85-të, ndërsa në mbështetje të banorëve kanë qenë edhe dy deputetët e opozitës, Klevis Balliu nga radhët e PD-së dhe Endrit Braimllari nga LSI-ja.

Të dy deputetët bën apel që të anulohet një orë e më parë ky projekt abuziv, i cili tashmë ka dalë tërësisht në dritë dhe është faktuar se kompania ka fituar lotin me dokumente false.

Në fjalën e tij, deputeti Balliu iu bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me protestën e opozitës me 16 shkurt, e cila sipas tij, ka për synim largimin e këtij pushteti abuziv.

“PD dhe LSI dhe e gjithë opozita e bashkuar do të jetë me ju në çdo moment  për të mbrojtur shtëpitë tuaja nga ky projekt abuziv. Opozita vepron për qytetarët dhe me qytetarët. Tek kjo prokurore nuk kam asnjë besim, sepse edhe ajo i ka duart në thes. Sot ka ardhur koha për një Shqipëria të vërtetë, që të gjithë të mbajnë njësoj përgjegjësi para ligjit  si qytetarët ashtu edhe politikanët. Të anulohet projekti urgjentisht, sepse këtu ka dalë në dritë se ka një aferë korruptive. Taksat e qytetarëve mos të vidhen. Ka 85 ditë që zgjatë kjo protestë. Abuzuesit do të mbajnë përgjegjësi. Anulimi i projektit po kthehet në përgjegjshmëri kombëtare. Nuk mund të goditen dhe të vriten qytetarët dhe policitë, që një person të mbush xhepat. Të mblidhemi me 16 shkurt që t’i japim fund këtij pushteti. Ky njeri nga këtu duhet të kuptojë se këtu ka shpresë dhe fuqi”, tha ai.

Nga ana tjetër, Braimllari tha se protesta e banorëve dhe qëndresa e tyre është simboli i sakrificës.

“Kjo protestë është e sakrificës, e shpirtit dhe e gjakut tuaj. Kjo është protesta e djersës dhe krenarisë. Një kryeministër palaço, i papërgjegjshëm kërkon t’i shkatërrojë këto shtëpi për të mbushur xhepat e tij. E keni lënë pa fjalë, sepse e nxorët para shqiptarëve dhe ia keni çjerrë maskat e mashtrimit. Prokurorja të këtë kujdes, të zbatojë ligjin dhe ta çojë deri në fund këtë hetim”, theksoi ai.