Prej javësh, gjendja në spitalin e Durrësit përsa i përket furnizimit me barna është për të vënë ulërimën. Më e rëndë situata është në repartin e Urgjencës ku mungon çdo lloj mjekimi, madje edhe serumet.

Mjekët thonë se për momentin ka qetësues vetëm për personat që vuajnë nga sëmundje të çrregullimit mendor. Kur vijnë kjo kategori pacientësh, iu bëhet qetësues. Ndërsa për të tjerët nuk ka as barna minimale, sepse nuk është bërë furnizimi nga ana e ministrisë.

Madje, për shkak të mungesës së barnave, rrezikon të mbyllet edhe salla e operacionit. Familjarët e pacientëve që paraqiten në Urgjencë duhet të jenë të përgatitur që t'ia mbathin vrapin në farmaci, sapo mjeku të plotësojë recetën për pacientin, pasi në të kundërt situata shëndetësore e të sëmurit mund të përkeqësohet.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, nga Durrësi, e pranoi që ka mungesa barnash, por problematikën e mungesës së barnave që detyron çdo pacient të blejë me lekë në dorë në farmacitë private edhe pambukun edhe alkoolin, edhe serumin edhe vigonin, e amortizon me punën e mirë që qeveria po bën për pacientët.

Ministrja thotë se është zgjidhur edhe problemi i mungesës së mjekëve. 13 mjekë specialistë janë vënë në dispozicion të të gjithë spitaleve të vendit për të shkuar ku ka nevojë.

K.H.