Sot në studion  e emisionit “Me Zemër të Hapur” në  News 24, rrëfehet për herë të parë babai i vajzës 13-vjeçare e cila u vetëvra me armën e gjahut. Familja po përjeton një situatë të vështire pas kësaj ngjarjeje që ka lënë gjurmë në jeten e tyre.

Babai i 13-vjeçares i ftuar në studio tha se nuk mendon se është vetëvrasje por ai gjithashtu mohoi që familja apo vajza të kishte problem me njeri.

"Me sa e kam rritur unë, atë armë s’ja kam dhënë kurrë në dorë. S’ka pas as fizikun me mbajt atë armë se ishte shumë e fortë. Nuk ka pasur mundësi vajza ime ta karikonte atë që të shtinte. Nuk e kam parë të shqetësuar vajzën. S’e mendoj për vetëvrasje. Me nusen nuk ka shkuar mirë, jo vajza, po e gjithë familja, si çdo familje por jo që të shkojë puna deri këtu. S’kemi pasur asnjë shqetësim. Vajza ime nuk ishte nxënëse e mirë, por as e keqe jo. Mësuesit dhe psikologët dhe shoqët e shoqet kanë qenë te shtëpia, por nuk më kanë thënë asgjë. Vetëm vështirësi ekonomike kemi pasur problem, asnjë hall tjetër," tha i ati.

Ngjarja ka ndodhur më 11 tetor 2018 ku Policia e Tiranës njoftoi se 13-vjeçare me inicialet  K. B  humbi jetën nga plagët e armës së zjarrit. Sipas njoftimit, e mitura u gjet e plagosur me armë zjarri në shtëpinë e saj, me pas ajo u dërgua për ndihmë mjekësore në spital nga i ati, por fatkeqësisht vogëlushja nuk arriti të jetonte.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Babrrusë, aty ku e mitura jetonte bashkë me prindërit e saj si dhe anëtarët e tjerë të familjes të cilët janë pjesë e komunitetit egjiptian.

Pas ngjarjes, u ngrit edhe një grup i posaçëm hetimor që në përfundim të veprimeve përkatëse hetimore dhe proceduriale arriti ne rezultatin se shtetësja K. B,. është vetëvrarë në banesë me armën e gjahut të të atit.