Ndërkohë që i gjithë ekipi i mjekëve në Pediatrinë e Durrësit është mbledhur për të analizuar dhe zbardhur rastin e rëndë të vdekjes së 7-vjeçares të prekur nga gripi, paraprakisht, sipas shefit Fatmir Shahini, dyshohet se vajza ishte prekur nga një formë agresive e gripit, e quajtur ‘gripi toksik’.

Vogëlushja 7-vjeçare humbi jetën mbrëmjen e së dielës, pak orë pasi mbërriti në urgjencën pediatrike të qytetit me temperaturë të ulët. Prindërit kanë deklaruar se vajza prej dy ditësh ishte me grip dhe refuzonte të ushqehej. Ata e dërguan në spital, por ajo kaloi në gjendje të pavetëdijshme duke rënë në koma, për të mos u zgjuar më kurrë.

Por cilat janë simptomat e shokut toksik? Nga një kërkim që “DurrësLajm” bëri rreth këtij sindromi, thuhet se ai është kërcënues për jetën njerëzore dhe duhet pasur shumë kujdes nëse keni simptomat e mëposhtme.

SHOKU TOKSIK

Sindromi i shokut toksik është një ndërlikim i rrallë, kërcënues për jetën e njerëzve që preken prej tij. Ai është një lloj infeksioni bakterial dhe shpesh mund të shkaktohet nga toksinat e prodhuara nga bakteret Stafilokok ose nga toksinat e prodhuara nga bakteret e streptokokut të grupit A.

Simptomat

Simptomat e shokut-toksik përfshijnë:

• Temperaturë e lartë e papritur (40-41 gradë)

• Presioni i ulët i gjakut

• Vjellje ose diarre

• Një skuqje që i ngjan një djegie nga dielli, veçanërisht në pëllëmbët dhe shputat

• Konfuzion

• Dhimbje muskujsh

• Skuqje e syve, e gojës dhe e fytit

• Gjendje të fikti

• Dhimbje koke

Nëse ju keni ndonjë nga këto simptoma duhet të kontaktoni menjëherë me mjekun, apo të paraqiteni në urgjencë për të marrë mjekimin e duhur. Sindroma e shokut-toksik mund të rezultojë fatale për jetën e personit që preket prej tij.