Rrugët në brendësi të lagjes 14 në  Shkozet, në qytetin e Durrësit, përbëjnë një shqetësim tepër të madh për banorët e kësaj zone, sidomos në stinën e reshjeve.

Të pa-asfaltuara dhe plot me gropa të mbushura me ujrat e shirave, këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve, iu duhet të përballen çdo ditë me këtë gjendje që paraqet DurrësLajm.

Por rruga e degraduar, nuk është problemi i vetëm, pasi prej shumë vitesh banorët përballen me ndotjen e krijuar për shkak të mos pastrimit të kanalit të ujrave të zeza, i cili është i mbipopulluar nga kallamishtet e barishtet, rjedhimisht dhe parazitët, duke krijuar pamjen e një minixhungle në mes të një qytetit turistik.

Era kundërbuese dhe rreziku i epidemive në verë, dhe përmbytja nga shirat në dimër, ky kanal është kthyer në makthin e qytetarëve.

Balta e krijuar prej shirave është ngjeshur me mbeturinat e zonës të shpërndara kudo, pasi banorët kanë improvizuar një pikë grumbullimi sepse krahas të gjitha problemeve të lart përmendura, mungojnë edhe koshat e posaçëm.

G.D.