Paraditen e kësaj të mërkure, banorë të dy pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Shkozet janë ngritur në protestë.

Janë 50 familjarë që jetonin në këto objekte të cilat janë shpallur të pabanueshëm, ndaj kërkojnë që godina të shembet e të ndërtohet nga e para.

Ata ankohen se nuk kanë marrë ende një përgjigje nga bashkia lidhur me shqetësimin e tyre ndërsa bëjnë me dije se ndonëse nuk banojnë më në pallat, vijojnë të paguajnë faturat.

“Kemi frikë të hyjmë në banesë. Fëmijët kanë frikë. Nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje nga bashkia. Ajo është konstatuar si e pabanueshme, DS4. Çdo gjë ka mbaruar si pallat. Nuk banojmë këtu dhe dritat i paguajmë. Ne nuk duam të hyjmë më këtu. Të shembet pallati, duam hyrje të tjera”, thotë një banor.

“Edhe pallati im ka dalë DS3 dhe më kanë thënë të dal jashtë. Është prishur nga bodrumi që rri në ujë. Dy katet e para janë të pabanueshme. Ju lutem shumë, kërkoj një komision specialistësh që të vijë të verifikojë. Muret e komshiut përballë janë çarë sepse janë dëmtuar nga krahu i bizneseve.”, thotë një tjetër.