“Të ushqyerit shëndetshëm dhe aktiviteti sportiv”, ishte tema e një projekti dobiprurës që mblodhi fëmijë të vegjël të shoqëruar me prindërit, të martën në sallën e mbledhjeve të shkollës “Vinçenc Prendushi” në Durrës.

Fokusi i diskutimit ishte sensibilizimi i prindërve mbi rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm për fëmijët, si dhe nga ana tjetër rëndësia e madhe që ka aktiviteti sportiv.

Këshilla të vlefshme u dhanë gjatë takimit nga trajneri italian i ekipit të Juvenilia-s, Francesco Vitobello, dhe dietologia Enkelejda Ferrollari.

Për një jetë të shëndetshme është shumë e rendësishme që t'i përzgjedhim ushqimet duke kombinuar vlerat e tyre ushqyese. Rregulli bazë i të ushqyerit është ngrënia në mënyrë të ekuilibruar, por gjithmonë duhet të jemi të informuar për ushqimet që na bëjnë mirë dhe për ato që janë të dëmshme.

Ndër të tjera, dietologia Ferrollari solli për të gjithë të pranishmit edhe një piramidë ushqimore, në bazë të së cilës qëndrojnë karbohidratet. Prindërit duhet të kenë parasysh produktet ushqimore të ndryshme me anë të të cilave duhet t’iu japin fëmijëve karbohidrate të papërpunuara.

Trajneri italian Francesco Vitobello, teksa renditi benefitet që sjell aktiviteti sportiv në jetën dhe shëndetin e fëmijëve, theksoi se të ushtruarit e rregullt ndikon pozitivisht si në trupin ashtu edhe në mendjen e fëmijëve.