Të shtunën më 15 dhjetor, u zhvillua me shumë sukses në Durrës, madje duke kaluar parashikimet e organizatorëve, gara miqësore e matematikës me nxënësit e klasave të nënta, dhjeta dhe njëmbëdhjeta.

Ideja ishte që nxënësit e talentuar dhe të pasionuar në matematikë të zgjedhur nga shkolla të ndryshme, të njiheshin me ushtrimet e olimpiadave, të njiheshin me njëri-tjetrin si dhe të ndërtohej një bashkëpunim mes mësuesve për përgatitjen për olimpiadat “zyrtare” të matematikës.

Shkollat që morën pjesë në garë ishin “Leonik Tomeo”, “Ibrahim Kodra”, “Vincens Prendushi” nga Durrësi, dhe “Babë Dudë Karbunara”, “Irfan Gjeqari” nga Berati; gjithsej rreth 100 nxënës.

Gara u zhvillua në shkollën e mesme “Ibrahim Kodra” në Durrës. Testet që u hartuan nga Prof. Dr. Valentina Sinaj dhe Dr. Robert Kosova, përbëheshin nga 12 ushtrime me alternativa me 5 pikë secili si dhe 4 problema me nga 10 pikë, nga gjeometria, gjithsej 100 pikë. Gara zgjati 2 orë, nga ora 11 deri në 13:00.

Në përfundim të garës, mikpritësit afruan një bufe të lehtë për nxënësit pjesëmarrës. U nderuan të gjithë nxënësit me certifikata pjesëmarrjeje si dhe më të mirët me çmime të para, të dyta dhe të treta.

Çmimi i parë u dha për nxënësit me më shumë se 85 pikë, çmimi i dytë për nxënësit me më shumë se 75 pikë, dhe çmimi i tretë për nxënësit me më shumë se 65 pikë.

Është interesant fakti se nxënësit e Durrësit fituan 9 çmime, ndërsa ata të Beratit 8 çmime.

Robert Kosova, si bashkëorganizator i garës, përmes një statusi në faqen e tij të “Facebook”-ut, falënderon prof. Murat Dervishin dhe prof. Arben Rekën për ndihmën e çmuar si kolegë me njohje shumë të mirë të olimpiadave të matematikës si dhe drejtorin dhe nëndrejtoreshën e shkollës “Leonik Tomeo”, Tomorr Agalliun dhe Shqipe Xhaferrin; nëndrejtorin dhe mësuesin e shkollës “Babë Dudë Karbunara Berat, Gjergji Angjeliun dhe Nazmi Danellarin.

Robert Kosova thotë se një përfundim i gëzuar ishte se nxënësit kishin punuar shumë mirë me ushtrimet e rekomanduara, me arshivat e olimpiadave të shkuara dhe kishin dije mbi nivelin e kurrikulës së sotme, gjë e domosdoshme kjo pëer ta.

Nga kjo garë e zhvilluar, përgëzime të veçanta u shkojnë nxënësve durrsakë Aerd Macaj, Tedi Kallço, Irvana Mali, Megi Reka, Klajdi Gazidede, Enrik Pecnikaj, Olti Shera, Tedi Reka, Ledio Tabaku, si dhe nxënësve beratas Koço Fani, Sedion Cuci, Ester Ziu, Zin Veleshnja, Eljo Muzhaka, Lidia Qama, Hysnela Saraci, Nikola Xhimitiku, etj.

Gara e dytë do të zhvillohet në Berat, në fund të muajit shkurt.

Më tej gjatë statusit të tij në “Facebook”, Dr. Robert Kosova jep edhe disa ide e këshilla se si duhet të procedojnë në vijim institucionet arsimore të vendit tonë:

“Një përfundim tjetër është se pasioni dhe zelli i nxënësve nuk gjen asnjë mbështetje institucionale.

Së pari, shkollat duhet të krijojnë dhe të mirëmbajnë arshivat e olimpiadave të shkuara, fituesit dhe ushtrimet. Shkollat që kanë faqe interneti duhet të kenë një rubrikë për Olimpiadat, ose të kenë një kënd në shkollë për nxënësit e talentuar.

DAR-et duhet të kenë të gjithë materialet e shkollave në vite, jo vetëm të aktiviteteve foklorike dhe kulturore, por dhe ato shkencore, olimpiadat etj.

Për kujtesë, në Shqipëri Olimpiadat e matematikës kanë filluar të zhvillohen që nga viti 1980, të drejtuara nga profesori i paharruar Agim Karcanaj, si dhe gjeni të tjerë të matematikës shqiptare profesor Agim Bardulla, Edmond Pisha, etj.

Është një histori e rëndësishme pune dhe suksesi që duket shumë pak dhe ajo që duket është rezultat i punës personale të disa kolegëve të talentuar dhe punëtore.

Unë do të vlerësoja disa libra shumë të mirë për Olimpadat e matematikës si librat e profesor Fatmir Hoxha, Fatos Kopliku si dhe mësuesve Myzemil Osmani, Nikolla Përdhiku, etj.”

Gara të tilla miqësore janë shumë të këndshme për nxënësit, sipas Dr. Kosovës, sidomos kur ato kombinohen me udhëtimin dhe eskursionin në një qytet tjetër, teksa motivon dhe nxënësit e talentuar me këto fjalë:

“Në një periudhë më të përshtatshme dhe mot më të mirë nxënësit që udhëtuan nga Berati do të kishin kohë të shihnin Amfiteatrin, Muzeun Historik, etj, kurse në Berat nxënësit e Durrësit do të shohin shumë si lagjet e vjetra, muzeun Onufri, Muzeun Etnografik, etj.

Dhe me siguri një ditë do të shkojmë në Tetovë, Prishtinë, Pragë, Berlin, pse jo…

Gjëra shumë të mira u ndodhin gjithmonë dhe shpesh atyre që përpiqen dhe punojnë për gjëra të mira. Dhe nxënësit tanë të talentuar do të shpërblehen për punën dhe talentin e tyre.

Suksese!”