Librat që duhet të lexoni këtë verë - Propozimet interesante që jep Biblioteka e Durrësit në periudhën e pandemisë (VIDEO)

16/06/2020 - 15:00

Në çdo kohë, pavarësisht formatit të printuar apo online, është dëshmuar që libri mbetet miku ynë më i mirë. Teksa kemi dalë nga periudha e karantinimit, por vendi ndodhet ende nën masa sigurie prej pandemisë së koronavirusit, gjatë këtij sezoni veror zgjidhja ideale është të merrni një libër të mirë e ta lexoni kurdo që të keni kohë të lirë.

Kreola Disha, Specialiste e Sektorit të Huazimit të Librit dhe Periodikut shqip në Bibliotekën Publike të Durrësit, propozon disa ndër titujt më tërheqës të librave për t’u lexuar gjatë verës, për të gjithë ata që duan të pasurojnë imagjinatën e të ndjejnë fuqinë e fjalës së përzgjedhur, apo edhe për fëmijët që të mbushin në mënyrë të vyer kohën e lirë. 

“Padyshim do propozonim dramaturgen britanike Agatha Christie me 3 titujt e saj të fundit: “Shtëpia e shtrembër”, “Portret i papërfunduar” dhe “Nuk mbeti më askush”. Ky i fundit një roman që përmbledh 10 vrasës në një shtëpi, të cilët i ka mbledhur një tjetër vrasës i padukshëm.

Nga letërsia spanjolle autori Carlos Ruiz Zafon me “Labirinti i shpirtrave”. Nga letërsia turke bashkëkohore Elis Shafak e cila vjen me disa tituj. Padyshim dhe autorët durrsakë Shpendi Topollaj, Vladimir Muça, Vaso Papaj.

Titujt për fëmijët: “Pema e dëshirave”, “Aventurat e Tom Sojerit”, “Ditari i Gregut”; “Fëmijët më të këqinj në botë”; “Mrekullia”, “Princi i vogël”; “Vendi i rrëfenjave”; “Agjencia Prindërore”; “Eliza në botën e çudirave”; “Çadra e purpurt”.

Po ashtu edhe tituj të tjerë interesantë nga letërsia britanike me të cilat pasurohet biblioteka Durrës: “The ice monster”; “The diary of a young girl”; “The book thief” etj.”, janë disa ndër titujt interesantë që padyshim do t’i bënin më të magjishme momentet e leximit.

Dashuria dhe interesi për librin janë të pranishme në çdo kohë. Teuta Dhima, Bibliografe pranë Sektorit të Albanologjisë, tregon se gjatë periudhës së pandemisë, shumë njerëz i janë drejtuar librit, që edhe pse i heshtur në çdo situatë, ai qëndron pranë njerëzve si miku më i mirë. Pavarësisht se biblioteka ka qëndruar e kyçur gjatë kohës kur vendi ndodhej në karantinim, angazhimet online në bashkëpunim me fëmijët dhe shkollat e Durrësit nuk kanë munguar.

“Në një bashkëpunim me shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Durërsit, kemi nxitur lexuesit e vegjël të sjellin eksperiencat e tyre, mendimet për sa i përket librave që ata kanë lexuar gjatë kësaj kohe. Janë realizuar nga fëmijët video-mesazhe, në të cilat shprehin mendimet e tyre për librin, kënaqësinë që ndjejnë duke lexuar, si dhe mungesën ndaj bibliotekës”, shprehet bibliografja Teuta Dhima.

Pas rihapjes së bibliotekës, Dhima tregon se ka pasur kërkesa në rritje nga lexuesit durrsakë, sidomos nga studentët.

Për të gjithë ata që do të paraqiten në bibliotekë, kujdesi në këto ditë duhet të jetë i madh. Drejtoresha Mirela Ylli thotë për “DurrësLajm” se shërbimi i Informacionit në Bibliotekën Publike Durrës, menjëherë pas periudhës së pandemisë filloi me miratimin e një rregulloreje të brendshme, e cila zbatohet si nga specialistët që shërbejnë në bibliotekë, ashtu edhe nga lexuesit, teksa duhet respektuar në maksimum distanca e sigurisë në çdo ambient si dhe lexuesit duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza, po ashtu edhe numri i tyre duhet të jetë i reduktuar në sallën e leximit.

S.L.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: