Çahet rruga e Plazhit, aksi i pakalueshëm

16/10/2012 - 00:00

 

Dëmtohet rëndë rruga e Plazhit nga Plepat deri tek Ura e Dajlanit. Mjete të rënda kanë çarë përmes asfaltin në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge duke detyruar të gjitha automjetet të kalojnë në krahun tjetër. Shkak për këtë situatë është bërë investimi për të disiplinuar ujërat e zeza nga Përroi i Agait deri në Shkozet në sajë të një financimi që ka dhënë Bashkimi Evropian për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza. Ky investim me rëndësi të veçantë është shtrirë në Golem, Durrës e Lezhë dhe BE ka akorduar një fond prej rreth 9. 8 milion euro.

Pikërisht në këtë shumë është përfshirë edhe fondi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza nga Golemi deri në Shën Vlash, atje ku është ndërtuar impianti i pastrimit të ujërave. Punonjës të firmës thonë se projekti është miratuar dhe ata janë vetëm zbatues duke mos dhënë asnjë shpjegim tjetër. Firma ka nisur të shtrijë këtë sistem kanalizimesh prej 5 vitesh duke ndërhyrë pjesë-pjesë në segmente të ndryshme. Makineri prerëse të asfaltit, eskavatorë, fadroma, kamionë dhe mjete të tjera janë shtrirë gjatë gjithë segmentit në 4.2 km gjatësi.

E gjithë zona ka marrë pamjen e një kantieri dhe askush nuk është në gjendje të shpjegojë se cila ka qenë arsyeja që ka nxitur investitorin apo firmën zbatuese të hapë kanalin e thellë deri në kuotat e parashikuara duke përshkuar rrugën e Plazhit në mesin e saj. Fenomeni është i njohur sidomos në rastet e investimeve të realizuara nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve.

 

E gjithë zona ka marrë pamjen e një kantieri dhe askush nuk është në gjendje të shpjegojë se cila ka qenë arsyeja që ka nxitur investitorin apo firmën zbatuese të projektit të hapë kanalin e thellë deri në kuotat e parashikuara duke përshkuar rrugën e Plazhit në mesin e saj

Brenda në qytet dhe në periferi shumë projekte kanë çarë rrugët edhe pse në jo pak raste këto rrugë janë rikonstruktuar së fundmi. Por këtë herë situata është krejt tjetër, pasi kanali që po hapet përmes rrugës në Plazh ka përfshirë 3-3.5 m gjerësi dhe rehabilitimi i këtij aksi thuajse do të jetë i pamundshëm. Në të dy anët e rrugës janë depozituar masive me inerte si çakull, zhavor, çimento, dërrasa, zgara të ndryshme, tubacione me diametër të ndryshëm dhe makineri të shumëllojshme. Tubat që po shtrihen janë nga 80 mm deri në 700 mm.

Në disa nyje janë ndërtuar puseta shumë të thella e të mëdha që do të shërbejnë edhe si vendkontrolli për funksionimin e tubacioneve në një zonë të caktuar. Një vit më parë shtrimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza është bërë nga Ura e Dajlanit përgjatë Kënetës dhe është mbyllur tek vaskat e peshkimit, atje ku është ndërtuar impianti i Shën Vlashit. Ky impiant është rreth 4 km larg nga qyteti dhe ka si qëllim të grumbullojë të gjitha linjat e ujërave të zeza për t’i kaluar në impiantin e pastrimit.

Specialistë të firmës i janë shmangur deklarimit lidhur me ecurinë e projektit dhe arsyet përse rruga e Plazhit është çarë në mes dhe jo në anë. Punëtorë të firmës thonë se në anë të rrugës dhe jo shumë thellë gjenden tubat e ujit të pijshëm, kurse në anën tjetër të rrugës është shtrirë rrjeti elektrik. Ajo që tani mbetet për t’u parë është çështja nëse zbatuesi i projektit do ta rikthejë rrugën në gjendjen e para investimit apo jo. Nëse rruga do të mbulohet vetëm ashtu siç është vepruar në pjesët anësore të saj në mënyrë të pashmangshme segmenti nga Plepat deri tek Ura e Dajlanit do të rrënohet në pak muaj.    

Investimi

Financuesi kryesor për këtë investim të rëndësishëm është BE. Projekti për t’i dhënë fund ndotjes së detit nga ujërat e zeza ka kaluar në dy faza, njëra prej të cilave është mbyllur. Faza e parë e projektit që nis me shtrirjen e rrjetit të kanalizimeve dhe shtrimin e tubacioneve nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem ka përfunduar. Projekti është bllokuar për një periudhë të gjatë në anën tjetër të këtij investimi, në zonën që do të disiplinojë ujërat e zeza nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Ura e Dajlanit.

Në bazë të kontratës financimi duhej të realizohej brenda muajit shtator të këtij viti, por investimi është shtyrë për shkak se një objekt me leje ishte bërë pengesë. Landfilldi në Golem dhe ai në Shën Vlash janë gati prej dy vitesh dhe po pritet të përfundojë shtrimi i tubacioneve në dy anët e plazhit nga Ura e Dajlanit deri në Spille. Bashkimi Evropian ka dhënë 9.8 milion euro për të shmangur ndotjen e detit nga ujërat e zeza. Shërbimet e konsulencës për këtë investim të madh janë bërë me fondet e Bankës së Luksenburgut, kurse kompania “Putognano e Pigli” ka marrë përsipër lidhjen e kontratës për të finalizuar projektin.

Që nga viti 2007 e deri tani qeveria shqiptare ka investuar 16.5 milion euro investime për sistemimin e ujërave të zeza në vijën bregdetare. Për të shmangur derdhjen e ujërave të zeza në det në zonën bregdetare Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit, Golem dhe Spille është investuar 5 milion euro dhe gjithçka është gati. Për të shmangur ndotjen e detit nga fekalet janë vendosur në disa pika kyçe filtra mekanikë me zhavorr e rrjetë teli në kanalet që derdhin ujërat e zeza në det.

Këto filtra bllokojnë materialin, kurse pas filtrave një tub i çarë në disa vende sprucon solucion kimikat me përzierje hipoklorit natriumi, acid klorhidrik dhe sulfat alumini. Kjo e strelizion ujin dhe bën që në det të derdhet vetëm produkt pa ngarkesë biologjike. Të tilla pengesa e filtra janë vendosur tek kanali i madh pranë kovaleshencës në Plepa, tek Përroi i Agait, në Golem dhe pika të tjera.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori