“Durrësi dhe italianët”, historia e një bashkëjetese

04/03/2012 - 00:00

 

Durrësi, qyteti ku u lind e u rrit, ku krijoi miqësitë e para, Durrësi në periudhën e tij të lulëzimit, pas pushtimit italian dhe në atë të viteve të para pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore, vjen në formën e kujtimeve e refleksioneve nga durrsaku i vjetër Ramazan (Xhodë siç e njohin të gjithë) Beja. “Durrësi dhe italianët” është libri më i fundit i autorit Beja që me një kujtesë për t’u pasur zili (me gjithë moshën e thyer), por dhe falë shfletimit të dhjetëra botimeve që flasin për qytetin tonë, arrin të realizojë një enciklopedi të Durrësit e familjeve durrsake, duke mos lënë jashtë vëmendjes asgjë. Durrësi dhe arkitektura e tij, lidhjet e ngushta me Italinë e shtete të tjera të Europës, familjet e vjetra, arkitektura e ndërtesave të asaj kohe, zejet, manifakturat dhe ndërmarrjet e ngritura në atë periudhë, përparimi i qytetit dhe synimi për t’u kthyer në një qytet modern, porti dhe rritja e menjëhershme e kapaciteteve përpunuese të tij, kafenetë, hotelet, kinematë por dhe shtëpitë publike, asgjë nuk duket se i ka shpëtuar syrit të Bejës, që ka shkruar gjerësisht për të gjitha këto aspekte të jetës në kapituj të veçantë të librit. Krahas kujtimeve që vijnë në formën e një dokumentari, Beja përpiqet të kryejë edhe një analizë të fenomeneve që u krijuan dhe morën jetë asokohe në qytetin buzë Adriatikut; zhvillimi i madh ekonomik, falë kjo mbështetjes së italianëve, ndikimi kulturor italian në çdo aspekt të jetës së familjeve të pasura të qytetit; angazhimi i familjeve tregtare për të mbështetur Luftën Nacionalçlirimtare, por dhe pasojat që rrodhën më pas; konfiskimi i çdo pasurie të atyre që u etiketuan “tregtarë”; dhunimi, përndjekja e persekutimi i dhjetëra e qindra familjeve të pasura; dënimi pa gjyq i shumë intelektualëve të qytetit, të shkolluar në universitetet më të mira të Italisë; si dhe etiketimi qytet “armik” që regjimi komunist i kishte vënë Durrësit. Periudha kohore para dhe gjatë Luftës së dytë Botërore si dhe vitet e para pas çlirimit të vendit kanë qenë të ngarkuar me ngjarje dhe zhvillime që e ndryshuan kryekëput rrjedhën normale dhe veprimtarinë e përditshme të familjeve durrsake. Pikërisht në këto vite, Durrësi do të konfiguronte përfundimisht lidhjet e vjetra me Italinë, që do të qëndronin të forta, të paktën idealisht, edhe gjatë regjimit komunist. Si një dokumentues i ftohtë, Beja, sjell në çdo faqe të librit të tij të dhëna e detaje mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së qytetit dhe familjeve durrsake, të cilat përbënë bazat e zhvillimit të mëvonshëm të Durrësit si në aspektin ekonomik, arkitekturor e urban ashtu dhe në atë kulturor.

Ndikimi ekonomik

Bashkë me ushtrinë italiane, në Shqipëri nisën të vërshojnë shoqëritë dhe individët e pasur italianë, që kërkonin të kapnin tregun shqiptar. Shoqëritë italiane u vendosën kryesisht në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër. Sipas Bejës, lista e shoqërive italiane prezente përgjatë viteve 1939-1943 në Durrës përfshin një gamë të gjerë investimesh e shërbimesh, duke filluar nga agjencitë e transportit, ato doganore e detare (Agenzia Commerciale Italo-Albanese, S.A.C. Odino, S.I.A.T., Bistolfi dhe Co, A.C.I.A., Antonio Colenda, S.A.T.A. etj) për të vazhduar me ato që kishin liçensë për tregtim mallrash me shumicë (Ditta Lorenzo la Rocca, S.I.D.E.C.O.M. etj), ofiçina mekanike (Giseppe Mazzarolli, Nicola Zanini etj), shoqëri ndërtimi e projektimi (C.E.L.P.A., Legnami Pasotti, Feltrinelli e fratelli etj), kompani për shitje automjetesh (S.A.T.M.I.S., Ugo Migliarini, Gaetano Chiaralla etj), zdrukthtari (Rafaele Vagnini, Domenico Xani, Rafaele di Carlo etj), shoqëri peshkimi (PESCALBA, Lo Sacco Saverio etj) si dhe shumë shoqëri të vogla biznesi e individë të tjerë që zhvilluan aktivitetin e tyre tregtar në Durrës.

Ndikimi kulturor

Sipas Bejës, Italia, vendi i njohur për shekuj me radhë si përçues i dijes e kulturës, e kishte të lehtë të ushtronte ndikimin e saj në këtë drejtim në Shqipërinë e varfër e të robëruar. Për të nisur ekspansionin e saj, propaganda italiane zgjodhi shkollat. Në atë kohë përveç trajnimit të shumë mësuesve për t'i shërbyer politikës fashiste, shteti italian u shpërndante fëmijëve të varfër me raste festash, libra e mjete didaktike, ndërkohë që një herë në vit të gjithë fëmijëve u dhuroheshin rroba të reja. Gjatë pushimeve verore ata ftoheshin t'i kalonin ato dy muaj në kampe pranë detit apo malit. Beja kujton sesi së bashku me shokë të tij qëndruan për dy muaj tek kampi veror në Plepa, ku italianët, në një sipërfaqe të madhe ranore kishin ndërtuar me shpejtësi kapanone njëkatëshe shumë komode. Për të edukuar me frymën fashiste djemtë dhe vajzat e shkollave, Italia nisi t'i organizonte ata në grupe sipas moshës si Figli di lupo, Balilla, Avangardisti e Giovani Fascisti. Në të njëjtën kohë, shteti italian organizonte vizita pompoze në bregun përtej Adriatikut, ku nxënësit të organizuar në bazë klasash dhe nën kujdesin e mësuesit të tyre vizitonin monumentet antike të Romës, Firences etj pa harruar të vizitonin pallatet moderne të Duçes. Në një nga këto udhëtime përtej detit, Beja sjell ndërmend atë kur katër motrat e tij së bashku me kushërirat dhe shoqet nga familjet Dakoli, Katroshi, Dovana, Durrësi, Afezolli, Mima, Çelkupa etj shkuan për të vizituar Romën. Jehona e asaj vizite, sipas tij, vazhdoi gjatë pasi vajzat sollën nga andej kukulla shumë të bukura, veshje të ndryshme, syze me ngjyra apo fotografi e revista të ilustruara. Në atë kohë u botuan dhjetëra libra për Shqipërinë e Italinë, fjalorë dy gjuhësh, të mëdhenj apo të vegjël, metoda për të mësuar italishten pa mësues etj. Në të gjitha botimet që shpërndaheshin falas dominonte mburrja për lavdinë e Romës së vjetër, për sukseset e ushtrisë italiane si dhe për zotësinë dhe zgjuarsinë e Duçes. Figura e Benito Musolinit, në atë kohë ishte prezente kudo. Udhëheqësi fashist nderohej me pllakate dhe vizatime në çdo mur si dhe në vende të dukshme si p.sh. në Kodër Vilë. Por krahas indoktrinimit të të rinjve dhe popullsisë me propagandën fashiste, Italia pati një meritë të veçantë në drejtim të shkollimit të brezit të ri, të atyre që do të përbënin më vonë ajkën e intelektualëve durrsakë.

I lindur e i rritur në Durrës, në rrugicat dhe lagjet e vjetra të qytetit, që në atë kohë nuk kishte zgjerimin e sotëm, Beja nxjerr nga arkivi i memorjes së tij, por dhe nga bisedat me shokë e të njohur fakte, fotografi dhe detaje që hedhin dritë mbi individë dhe familje, që shkollimin jashtë shtetit e panë si një nga mundësitë më të mëdha që ofronte ky bashkëpunim mes dy vendeve. Beja rendit njëri pas tjetrit shumë nga të rinjtë e asaj kohe që ndoqën studimet në universitetet italiane si p.sh. djemtë e familjeve Dovana, Çelkupa, Gjata, Nushi, Margeriti, Rexha, Spiru, Manushi, Vlashi etj. Ndërsa rendit shumë nga të shkolluarit në ato vite, Beja nënvizon më pas se të gjithë këta intelektualë të rinj erdhën të zbatonin njohuritë e marra në shkollë në qytetin e tyre, duke kontribuar në modernizimin e tij të mëvonshëm. Disa prej tyre gjatë periudhës së shkollës u njohën me shtetase italiane dhe u martuan me to duke formuar kështu familjet e para të përziera.

Si për çdo brez të ri, muzika përbënte një nga elementët kryesorë të formimit kulturor të durrsakëve. “Në atë kohë shumë këngë italiane si "Mamma, ti voglio bene", "Chitarra romana", "Violino zigano" etj apo këngëtari italian Beniamino Gigli u bënë shumë të njohur. Jehona e muzikës italiane ndihej mjaft në Durrës e kjo falë altoparlantëve të fuqishëm të vendosur në rrugët e qytetit si dhe shumë këngëtarëve italianë, që kishin mbërritur në qytetin tonë e interpretonin në kafene e taverna”,- shkruan Beja në librin e tij. Megjithëse ka qenë i vogël, ai nuk kishte si t’i harronte dy nga evenimentet e asaj kohe në Durrës, mbërritjen e cirkut dhe shfaqjen e dy operave në ambient të hapur. Krahas dominimit të fortë në çdo aspekt të ekonomisë së brishtë durrsake, italianët angazhoheshin edhe për argëtimin e popullsisë. Kështu, në ato vite, në Durrës erdhi dhe u vendos një cirk i madh lojrash, një ngjarje kjo që bëri shumë përshtypje dhe nuk mbeti pa u komentuar. Ndërkohë, siç kujton Beja në ambjente të hapura u shfaqën dy opera mjaft të famshme: "Traviata", tek sheshi pranë pishinës, ku luajtën si figurantë shumë fëmijë durrsakë dhe "Aida" e Verdit, që u luajt tek sheshi pranë Muzeut të Dëshmorëve. Por nuk ishin vetëm këto mundësitë e argëtimit të popullsisë. Në mënyrë paradoksale me realitetin e sotëm, Beja kujton se në ato vite Durrësi kishte dy kinema të vjetra, Savoia dhe Gloria, por krahas tyre u hapën me shpejtësi dhe katër të tjera: "Nacional", në qendër të qytetit; "Duca D'Aosta", pranë shkollës "Gjergj Kastrioti"; "Simoncini" në Shkozet dhe "Skënderbeu" pranë ambulancës qendrore. Ndërsa kujton disa nga filmat më të mirë të shfaqur gjatë asaj kohe si "Casta Diva", "Rigoletto", "Il ponte dei sospiri", "Toto" etj, Beja nuk lë pa përmendur faktin se kinematë kishin për mision edukimin e popullatës përmes propagandës, pasi filmat shoqëroheshin nga dokumentarët "Luce" që mundoheshin të servirnin sukseset e reparteve të ushtrisë fashiste. Ndërsa dhe sot e kësaj dite brezi i tretë i durrsakëve të vjetër kujton me nostalgji muzikën dhe filmat italianë të viteve '30-40, komunikimi i vazhdueshëm me italianët, që jetonin në Durrës dhe shkollimi në Itali, lanë gjurmë edhe në leksikologji. Beja kujton se, nga influenca e gjuhës së vendit fqinjë, në atë kohë nisën të përdoreshin në gjuhën e përditshme mjaft fjalë si: arrivederci, ciao, burro fresco, aranciata, risotto etj; ndërsa në gjuhën teknike hynë fjalë si: bulloni, dado, rondelle etj, të cilat mbetën përgjithmonë në fjalorin e gjuhës shqipe.

Mënyra e jetesës

Në vitet '30-‘40, shumë të rinj e të reja durrsake u shkolluan në Itali, ndërkohë që shumë tregtarë shkonin shpesh në vendin fqinjë, me të cilin kishin konsoliduar marrëdhënie të rëndësishme. Në qytet ndodheshin edhe shumë familje italiane që kishin zhvilluar bizneset e tyre këtu. Pikërisht në këtë kohë, stili italian i jetesës nisi të përhapej me shpejtësi të madhe në Durrës. Në librin e tij, Beja i kushton një rëndësi të madhe përshkrimit me saktësi dhe dokumentimit edhe me anë të fotove të stilit të ri (modës së re) në mënyrën e të veshurit, pasi durrsakët e pasur në atë kohë ndryshuan kryekëput garderobën e tyre duke qenë në modë me tendencat më të fundit në këtë drejtim. Siç shkruan vetë Ramazani,- "veshjet e markave të ndryshme italiane nisën të depërtonin në tregun vendas. Pantallonat e të gjitha modeleve, xhaketat doppiopet, monopet sportive, xhakaventot me ngjyra të ndryshme, kapelet e republikës, borsalinot, kasketat, kapelet e grave me strehë të gjerë apo të vogël, me tyl ose me lule i shihje kudo në Durrës. Këpucët e burrave dhe grave si dhe sandalet e llojeve e kualiteteve të ndryshme përdoreshin gjerësisht. Veshjet e brendshme intime, sidomos ato të grave, zëvendësuan ato të vjetrat, duke u pranuar gjerësisht nga familjet më konservatore".

 

Krahas kujtimeve që vijnë në formën e një dokumentari, Xhodë Beja përpiqet të kryejë edhe një analizë të fenomeneve që u krijuan dhe morën jetë asokohe në qytetin buzë Adriatikut; zhvillimi i madh ekonomik, falë kjo mbështetjes së italianëve, ndikimi kulturor italian në çdo aspekt të jetës së familjeve të pasura të qytetit; angazhimi i familjeve tregtare për të mbështetur Luftën Nacionalçlirimtare, por dhe pasojat që rrodhën më pas; konfiskimi i çdo pasurie të atyre që u etiketuan “tregtarë”; dhunimi, përndjekja e persekutimi i dhjetëra e qindra familjeve të pasura; dënimi pa gjyq i shumë intelektualëve të qytetit, të shkolluar në universitetet më të mira të Italisë; si dhe etiketimi qytet “armik” që regjimi komunist i kishte vënë Durrësit

Gjithsesi, Beja thekson se djemtë dhe vajzat ishin të parët që përqafuan këtë modë të re, ndërsa anëtarët e rritur të familjeve pak më ngadalë. Krahas revistave të modës, që ekspozonin tendencat më të fundit të veshjeve, nuk mungonin edhe katalogët që reklamonin mënyrën e mobilimit të shtëpisë. Shumë shpejt vendin e mobiljeve të vjetra e zunë mobiljet e stilit italian si: karrike me fron, me syprinë sintetike, me tuba, kolltuqe e divane të të gjitha llojeve, rafte, komo, komodina, krevate, perde e tapete të të gjitha llojeve të stilit modern. Dhe kështu dalëngadalë krahas përmirësimit të aspektit fizik dhe mënyrës së ndërtimit dhe mobilimit të shtëpisë, durrsakët nisën të përdornin shumë nga teknologjitë e reja që ofronte bota perëndimore edhe në drejtim të higjenës personale. Gjithashtu u shtua kujdesi për pajisjen e banjove me mjetet e duhura për të plotësuar më mirë shërbimin higjenik e sanitar, personal e kolektiv si: vaskë, bide, lavaman, dush me ujë të ngrohtë, pasqyrë dhe mobilje të përshtatshme për banjon gjeje në shumë nga shtëpitë e pasanikëve durrsakë. Kështu sipas Bejës, të ndihmuar nga të ardhurat gjithnjë në rritje, durrsakët, nisën të hidhnin pas krahëve mënyrën e vjetër të jetesës në stilin otoman për të përqafuar një stil modern jetese të përafërt me atë të fqinjëve të tyre të përtej detit.

Zhvillimi urban

Durrësi, që në lashtësi, për vetë pozicionin mjaft të favorshëm gjeografik ka shërbyer si një urë kalimi për në Perëndim. Me trashëgiminë e tij shumë të pasur arkeologjike si amfiteatrin, muret rrethues, mozaikët, rotondon, banjot publike etj, Durrësi dëshmon se ka pasur lidhje mjaft të hershme me fqinjët e tij perëndimorë.

Siç shkruan Beja deri në vitet '30 të shekullit XIX-të, qyteti kishte pësuar tkurrje brenda mureve të kalasë dhe vetëm pas viteve '30, në kuadër të gjallërimit ekonomiko-shoqëror që përfshiu të gjithë vendin, nisi t'u hapej ngadalë rrugëve detare dhe të kthehej në skelën kryesore të tregtisë detare. Qyteti pësoi një rritje të hovshme demografike dhe nisi të zgjerojë strukturën e tij urbane përtej mureve otomane.

Në vitin 1928, me porosi të Bashkisë Durrës, Instituti Gjeografik Mbretëror Italian në Firence (sot Istituto Geografico Militare Firenze) përgatiti një reliev urbanistik. Firmëtarët Dino Bucidi e të tjerë përcaktuan hapjen e rrugëve: të hyrjes në portin detar, rrugën Tregtare, rrugën drejt Kodër Vilës, rrugën drejt Spitallës etj. Në 1934,- thotë Beja,- plani u miratua nga bashkia dhe nisën të kryheshin matjet dhe llogaritjet e kolonelit Ferrara, inxhinierit Berte dhe inxhinierit të bashkisë H. Hornickel.

Në vitet 1928-1934 u ndërtua porti detar me projekt, zbatim dhe kontroll punimesh të kryer nga specialistë italianë. Në këtë periudhë është hartuar edhe plani rregullues i qytetit, i cili i atribuohet arkitektit italian A. Brazini. Plani i Brazinit, në përgjithësi, ruajti strukturën rrugore të qytetit të vjetër dhe parashikoi zgjerimin e tij në zonën fushore (lagjen Varosh), nëpërmjet një rrjeti drejtkëndor rrugësh. E vetmja ndërhyrje e plotë qe krijimi i një rruge të gjerë, drejtvijëzore që lidhte portën e madhe të qytetit me portën Jalli në jug (sot rruga Tregtare). Rruga e re mbaroi së ndërtuari në vitin 1929 dhe mori emrin Bulevardi i Kalasë. Një ndërhyrje e tillë urbane që parashikonte prishjen e shumë shtëpive të vjetra për t'i dhënë frymë qytetit ishte tipike e urbanistikës fashiste. Përgjatë kësaj rruge u ndërtuan godina të reja duke krijuar kështu një fasadë urbane, që i dha frymëmarrje të re qytetit, që la pas sistemin otoman të lagjeve në brendësi (me rrugica me dredha dhe cul de suc, tipike të arkitekturës islamike). "Dy rrugë të tjera të rëndësishme që u ndërtuan fill pas saj,- kujton Beja,- ishin rruga Constant, që fillonte tek Sheshi i Lirisë dhe lidhej me Urën e Dajlanit si dhe rruga Cecil, që anashkalonte kodrat dhe përfundonte në Porto Romano. Sheshi i Lirisë mori formë pas ndërtimit të godinës së bashkisë dhe xhamisë së re në vitin 1939". Këto ndërhyrje urbane e shndërruan Durrësin në nyjen më të fortë të komunikacionit në mbarë vendin, i dhanë atij frymëmarrje dhe pamje bashkohore. Më tej, në vitin '41 arkitektët italianë F.Poggi dhe A. Carmigiani morën pjesë si konsulentë kryesorë në hartimin e planit rregullues të qytetit. Ky plan ruajti me kujdes pjesën antike të qytetit duke zgjeruar zonat e banimit gjatë vijës së bregut të detit, në veri të kodrave e pjesërisht anës së kënetës. Ky projekt parashikonte bonifikimin e kënetës dhe zmadhimin e portit detar si dhe porte të tjerë për jahte, peshkim etj.

Duke iu referuar librit të Bejës para 1939, në Durrës ishte ndërtuar godina e Bashkisë, Banka Kombëtare, centrali elektrik, porti, si dhe shumë pallate të familjeve të pasura durrsake si: Shijaku, Fani, Vokopola, Margeriti, Koja, Delliallisi, Rexha, Manushi, Haveriku, Fortuzi, Harizaj etj.

Teknologjia e ndërtimeve pas 1938-ës ishte nën ndikimin tërësisht italian, pasi bazamenti, themelet, kolonat, trarët dhe soletat e pallateve ishin të gjitha betonarme. Stili i ri i fasadave, i pajisjeve të karabinave ishte i thjeshtë e i standardizuar, gjë që ndikoi në uljen e kostos dhe ndërtimin e godinës në kohë të shkurtër. Ky standardizim u pa në përgatitjen e tullave me bira, tjegullave marsejeze, në përgatitjen e pllakave për shkallët, prevazet dhe pllakat e shtrojës, në grilat e dritareve e deri tek pajisjet elektrike e hidraulike.

Në infrastrukturën rrugore, Italia, me repartin bazë tek Sasso Bianco, ndërtoi për gjashtë muaj rrugën Durrës-Ndroq-Tiranë, duke ndërtuar ura, bordura, prita e asfaltim. Bëri sistemimin, ndërtoi urat dhe asfaltoi rrugën Durrës-Katër rrugët-Sukth-Maminas-Tiranë.

SISTEMIMI

 

Plani urbanistik i vitit 1941

Elementët kryesorë të këtij plani janë:

1) Arteria rreth dy km, që lidh Urën e dajlanit me rrëzën e kodrave, ku parashikohej në aks një lulishte dhe një kishë për qytetin. Pavarësisht mosrealizimit me përpikmëri të kësaj ideje projekti i Muzeut të Dëshmorëve do ta shohë këtë hapësirë si pikë referimi për qytetin, pasi është i pari imazh që përthithet kur hyn në Durrës.

2) Sheshi dhe stacioni hekurudhor i udhëtarëve (ku është vendosur aktualisht), ku parashikohej një linjë hekurudhore që lidhej me portin.

3) Unaza qarkulluese e qytetit (projekt që po realizohet sot me itinerar pak a shumë të ngjashëm).

4) Kompleksi sportiv me stadium, pishina, fusha stërvitjeje, që përkojnë me vendndodhjen e tyre aktuale.

5) Parku i Vilës

KONVENTA

Marrëveshja Iaccomoni-Vërlaci

“Më 20 prill 1939 (disa ditë pas pushtimit italian) hyri në fuqi konventa ndërmjet qeverive të Italisë dhe Shqipërisë. Kjo i hapi rrugë ekspansionit ekonomik italian në Shqipëri”,- shkruan Beja në fillim të librit. Duke iu referuar dokumenteve të asaj kohe e pikërisht konventës së nënshkruar nga Francesco Iaccomoni, mëkëmbës i Mbretit të Italisë e Shefqet Verlacit, kryeministër i Shqipërisë, Beja riprodhon tekstin e asaj marrëveshjeje që do të shënonte rigjallërimin ekonomik të Durrësit dhe daljen nga mënyra otomane e jetesës, për t’iu afruar qytetërimit modern, - “Qytetarët shqiptarë e italianë gëzojnë të gjitha të drejtat civile dhe politike që gëzojnë në tokat e tyre; Bashkimi doganor: tokat e dy vendeve do të konsiderohen se formojnë një tokë të vetme, pra doganat hiqen mes tyre; Dispozitat ekonomike: marrëveshja për koncesione - Shqipëria do të ndihmohet në komunikacion, në shërbime e mundësi të tjera ekonomike; Dispozita valutore: vlera e frangut shqiptar barazohet me 6.25 lira italiane”. Me nënshkrimin e kësaj konvente sipas Bejës mundësohej afrimi i shoqërive italiane për të investuar në vendin tonë, i besohej tashmë Italisë të kujdesej për traktatet e reja të Shqipërisë, si dhe mund të punohej lirshëm e direkt me frangun shqiptar e lirën italiane.

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Me rastin e 3-vjetorit të ndarjes nga jeta...

     Një rrëfim ndryshe për Genci Alizotin

“L’Ouest-Eclair” ka botuar, të dielën e 11 tetorit 1914, në faqen n°4, shkrimin e “La Stampa-s” së Torinos në lidhje me hyrjen triumfale

  • Nostalgjia dhe malli vijnë për ta shqyer shpirtin
  • Në reagim të një diskutimi nisur në një rrjet social

Kongresi i Durrësit ishte mbledhje e përfaqësuesve të Shqipërisë e mbajtur në Durrës, për të siguruar pas mbarimit të Luftës së Parë Botë