“Gladitorët”, porositur dhe paguar nga Arkeologjiku i Durrësit

26/08/2013 - 15:44

DURRËS, 27 gusht 2013 – “Gladiatorët” e Janaq Paços (1914-1991) ishin porositur nga muzeu arkeologjik i Durrësit dhe autori për to ka marrë honorarët, kështu dëshmojnë skulptori durrsak, ish-restaurues në muze Qazim Kërtusha dhe ish-drejtori Prof. Afrim Hoti. Gazetari Gëzim Kabashi ka përgatitur një speciale për veprën aq të diskutuar “Gladiatorët”, duke risjellë në kujtesë dhe projektin personalitetit më të madh të arkeologjisë shqiptare dhe ballkanike, Vangjel Toçi (1920-1999) për ndërtimin e lulishtes arkeologjike me riprodhime në përmasa të mëdha të objekteve kult të muzeut dhe portikut (ky nuk ekziston më pas zhvendosjes së muzeut të vjetër). Sa ishte gjallë, Toçi arriti të realizojë një pjesë të projektit. Në foton bardhe zi shihet Vangjel Toçi pranë kapiteleve të riprodhuara në parkun arkeologjik, kurse në sfond në të djathtë duket një pjesë e portikut. Lulishtja arkeologjike dhe porti kanë qenë ikona të qytetit bregdetar. Madje janë fiksuar në kartolina, albume dhe në kinematografi. Parë në këtë optikë, nuk është e ndershme të bëhen spekulime për thyerje të qëllimshme të pjesëve të “gladiatorëve” nga autori Paço, pasi kishte frikë nga regjimi. I vetmi “komplot” që nuk mundësoi ekspozimin e grupit skulpturor dhe shumë të tjerave, përfundimin e muzeut arkeologjik dhe rikthimin e portikut, ishte nxjerrja në pension e Vangjel Toçit, teksa intrigantët u mbushën mendjen dy agronomëve që drejtonin në vitet 1980 partinë dhe pushtetin në Durrës. /th. m./

Nga Gëzim Kabashi

 

“Dy “gladiatorët” e skuptorit Janaq Paço kanë qëndruar për më shumë se 30 vjet në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Figurat monumentale, që sot ndodhen në Qendrën e Realizimit të veprave të artit në Tiranë, ishin porositur nga ish-drejtori i muzeut të Durrësit, arkeologu i ndjerë Vangjel Toçi”, - tha skulptori Qazim Kërtusha, i cili ka punuar si restaurues për më shumë se tre dekada. “E kujtoj mirë mesin e viteve 1970, pasi sapo isha emëruar në Muzeun arkeologjik dhe figurat skulpturore ishin përgatitur në pjesë. Ato mbaheshin në një nga magazinat e muzeut të vjetër arkeologjik, i cili ndodhej në shëtitore, para godinës së ish-fabrikës së Cigareve”. Kërtusha shton: “Dy figurat, sipas drejtorit Vangjel Toçi, do të vendoseshin pranë murit mesjetar, shumë pranë Amfiteatrit antik të Durrësit. Pushteti vendor i asaj kohe kishte miratuar projektin e prof. Vangjelit, i cili parashikonte ngritjen e një parku me objekte arkeologjike në lulishten pranë bregdetit, e cila atë kohë thirrej nga durrsakët me emrin “lungomare”. Në zbatim të këtij projekti, në atë periudhë në lulishte u ndërtuan të paktën 4 minisheshe betoni me shkallare të buta, në qendër të të cilave u vendosën kolona me kapitele, apo amfora të mëdha”, - kujton Qazim Kërtusha.

Lulishtet arkeologjike

Edhe dy “Gladiatorët” e punuar nga skulptori i njohur Janaq Paço synonin krijimin e atmosferës antike e mesjetare në sheshe dhe lulishte publike të qytetit. Arkeologu Afrim Hoti, drejtor i institucionit në disa periudha të gjata, thotë: “Sipas skicave të Vangjel Toçit, dy skulpturat mbi 3 m të larta ishin parashikuar të vendoseshin në fillim të rrugës me kalldrëm që ngjitet deri në afërsi të Kullës mesjetare, mbi muret e Amfiteatrit”. Menjëherë pas kësaj hapësire ndodhet Amfiteatri dhe dy luftëtarët, që 2000 vjet më parë ndesheshin në arenën e tij pritej të krijonin një efekt të veçantë te vizitorët. Një variant tjetër, i pazyrtarizuar parashikonte vendosjen e tyre brenda amfiteatrit. Por, projekti i skulpturave të parkut me jehonë të lashtë nuk u realizua i plotë. Grupi i prof. Janaq Paços mbeti vetëm një ëndërr, ndërsa pjesët e monumentit në allçi u endën për disa dekada. Dy figurat ishin të ndara në pjesë, 43 të tilla sipas nipit të Paços, dhe vetëm në fundin e viteve 1990 janë transferuar në mjediset e muzeut të ri arkeologjik. “Jemi kujdesur të gjithë për to, pasi e dinim që ishin vepër e prof. Janaq Paços, autorit të “Skënderbeut të Krujës, - vijon dëshminë e tij skuptori Qazim Kërtusha, edhe ai mjaft i njohur në Durrës për numrin e madh të skulpturave të parkut. - Figurat dalloheshin veçanërisht për kostumografinë e shfrytëzuar nga Paço si veshje e dy gladiatorëve”. Kërtusha vetë, në atë kohë ka përgatitur bocetin e “Gruas me patë”, një figurë e frymëzuar nga periudha ilire. Ndërkaq Skulptori i Merituar, Sabri Tuçi, i diplomuar në Romë punon gjithashtu një figurë me veshje ilire, edhe ajo e destinuar të mbetet bocet.

33 vjet në magazina pa inventar

Ish-drejtori Afrim Hoti dëshmon se dy “gladiatorët” me superpërmasa janë ruajtur në magazinat e të dy muzeve, megjithëse nuk ishin në listat e inventarëve. Drejtori Vangjel Toçi, kur ende nuk kishte dalë në pension, më ka treguar se veprat ishin shlyer nga pikëpamja financiare dhe përderisa zinin shumë vend ato mund të largoheshin nga muzeu” - vijon prof. Hoti. Gladiatorët nuk mund të vendoseshin më në Durrës. Kohët kishin ndryshuar, autori i projektit, prof. Vangjel Toçi, kishte dalë në pension, megjithëse që në vitet 1970 ishte kujdesur që honorari i krijimtarisë për dy “gladiatorët e Durrësit” të paguhej, brenda limiteve ligjore prej 3 mijë lek të reja për secilën prej skulpturave. Në atë kohë edhe një autor tjetër, Sotir Kosta, kishte përgatitur figurën e gruas ilire, “Lipidia”, me një lartësi prej 3 mt, por edhe ajo nuk u vendos në një nga sheshet bregdetare, siç ishte parashikuar. Sidoqoftë, “Lipidia” për vite me radhë u bë pjesë e itinerarit të portikut, në krahun e majtë të muzeut të vjetër arkeologjik.

Sërish në Durrës?

Shpresat e familjarëve të mjeshtrit kanë rikthyer idenë e vendosjes së “gladiatorëve” pranë mureve mesjetare të Durrësit. Afrim Hoti ishte ende drejtor i Muzeut Arkeologjik, kur familjarët e skulptorit i kanë marrë pjesët prej allçie të dy figurave të mëdha dhe i kanë dërguar në Tiranë. Ishin shumë delikate dhe të mëdha, kujton prof. Afrim Hoti, i cili kujton se sipas projektit të parë ato duhet të derdheshin në bronz, ose në beton artistik, ashtu siç ndodhi pas vitit 2007 në Qendrën e realizimit të veprave monumentale. Pjesët e ruajtura për më shumë se 30 vjet në magazinat e muzeut të vjetër dhe të ri të qytetit janë tërhequr nga familjarët e Janaq Paços në vitin 2007, të cilët gjetën mbështetje ministrore për ‘ derdhur në beton artistik dy figurat, që ishin blatuar për hyrjen e amfiteatrit.

/red. th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Sot shënohet 2-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe që në Shqipëri është festë zyrtare.

   Memorie qytetare

Anastas Mima pranë nesh, në parajsën e kujtesës

   Në këtë libër kam kërkuar të tregoj historinë e një dinastie të madhe financiare nga dita e arritjes të parit të fisit (themeluesit të

Siguria është e tillë kur është e garantuar 100% në çdo pjesë përbërëse të saj: nëse po kërkoni cilësi, siguri dhe klas në një të vetme,

Mjeku Ashim Zogu, njihet si një prej atyre pak mjekëve të ndershëm në Urgjencën e spitalit të Durrësit I cili ka marrë të gjithë vlerësim

*Përpjekje për t'u kthyer në një institucion pushimi bashkëkohor

Nga Shefqet Kërcelli