1 vit më parë u nda nga jeta/ Kujtimi për ty nuk shuhet kurrë Tush Çumashi!

14/05/2020 - 20:31

Nga BUJAR QESJA

14 maj 2019-14 maj 2020. Është plot 1 vit. Janë plot 12 muaj. Janë plot 366 ditë. Mitrush Çumashi, miku, shoku, i afërmi, vëllai, zotnia i rëndë i basketbollit u tret fizikisht nga shikimi ynë. Pse ta fshehim? Të gjithë derdhëm lot për ty Tushi jonë i shkëlqyer, modeli ynë më i mirë, përfaqësuesi ynë nga më të mënçurit, hokatari, korrekti, personaliteti, njeriu nga më të domosdoshmit për secilin, nga shokët dhe të afërmit. Na preve krahët, në kohën që kishim shumë nevojë për ty. Ndonëse në Tiranë, ti nuk u ndave kurrë nga shokët e tu, nga durrsakët e tu, që të deshën si birin e tyre.

Shkëlqenin rrrugët e vendlindjes tonë të përbashkët, kur kaloje ti Tush Çumashi dhe na bëje nder të gjithëve. I madh dhe i vogël të takonte, pasi ti nuk bëje dallim, duke i folur të madhi dhe të vogli. Të shkëlqente fytyra tamam si ngjyrat e pranverës, duke na dhënë nga pak nur të gjithëve. Më merrje shpesh në telefon dhe e kishe merak një libër për basketbollin durrsak, për një album me fotografi, për funksionimin e shoqatës sportive Goga Basket, që ajo të përfaqësonte sa më mirë emrin e madh të profesorit tënd. Dhe më thoje si në formë amaneti:

-Bujar qendroi afër Igli Gogës, djalit të florinjtë të Durrësit. Mos e lini vetëm se ka shumë punë për të bërë. Ai po ia ngren kryet basketbollit tonë të Durrësit, po ripërtërin traditat, po na kthen dashurinë e kahershme për sportin tonë të rinisë.

Dhe bisedat i mbyllnim me humor dhe me shpresën, se do të takoheshim kur të na mblidhte Igli, apo kur të të binte puna nga Durrësi yt i bekuar dhe kurrë i paharruar. Eh Tush Çumashi, sa na lëngove më ikjen tënde! Na e coptove shpirtin! Na e coptove xhanin! Na e ndave zemrën në dysh, duke e marrë një pjesë të saj në banesën e përjetshme, si pjesë tonën, si pjesë jetike tënden, si pjesë e asaj që na bashkoi dhe Zoti na lidhi përjetësisht.

Një vit pa ty Tush Çumashi! A mund ta besojmë këtë? Mua më duket sikur jemi takuar dje dhe do të takohemi sërish nesër. Po, po do të takohemi! Ku! Atje tek pallati me emrin e pacënuar në jetë të jetëve “Dhimitraq Goga”.

Tush vëlla! A më dëgjon kërcitjen e fortë të lotëve, kujën e fortë të dhimbjes, por edhe dëshirën e pakufishme se ne do të besojmë, se do të të kemi gjithnjë pranë? A mund të vdesë Tush Çumashi? A mund të zbehet humori ynë? A mund të cënohet lidhja aq e fuqishme e komunitetit të basketbollit durrsak, rreth shoqatës sportive, aq qytetare, aq kryelartë, aq punëshumë Goga Basket?

Kurrë jo! Sepse brenda saj janë amanetet e tua, janë dëshirat e tua, janë kënaqësitë e tua, që na i transmetoje me aq art, me aq elegancë shpirtërore, me aq dashuri sikur të ishte familja jote.

14 maj 2019, largimi i Tush Çumashit në parajsë. 14 maj 2020, lulëzimi i kujtimit të Tush Çumashit tek të gjithë ne. Dhe nuk jemi pak. Sepse asnjë herë, nuk kemi qenë pak. Dhe asnjëherë, nuk do të mbetemi pak. Sepse ti asnjëherë, nuk doje të ishte e kundërta. Sa i ke dhënë basketbollit durrsak Tush Çumashi! Po qytetarisë durrsake! Ti ishe mburrja e jonë, ashtu siç u ktheve papritur në dhimbja e jonë, ashtu sikundër do të mbetesh optimizmi dhe buzëqeshja e jonë. Të donim Tush Çumashi, të donim shumë! A e di pse? Sepse edhe ti na doje shumë, aq shumë, sa asnjë nga ne se bënte këtë më shumë nga ty.

Një vit pa ty artisti i topit! Një vit pa buzëqeshjen tënde, por gjithnjë me kujtimin për ty! Jo një vit, jo 12 muaj, jo 366 ditë, por sado kohë që të kalojë, ti do të mbetesh i njëjti Mitrush Çumashi. Të japim fjalën Tushi ynë i shtrenjtë, miku dhe shoku ynë i çmuar, se do të të kemi pranë. Në çdo gëzim tonin, ti do të jesh gjithnjë në krye të tavolinës, të asaj tavoline që hijeshonte me praninë tënde dhe të gjithë vështronim atje ku ndodheshe ti.

Dhe tani të gjithëve na takon të shikojmë vetëm në një drejtim:

Në përjetësinë tënde!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: